UGSH mbështet protestat studentore: Moszbatimi i gjuhës shqipe, shkelje e rëndë ligjore





Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) ka reaguar me shqetësim të thellë ndaj, siç e cilëson, mosrespektimit të vazhdueshëm të ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, duke e konsideruar këtë fenomen një shkelje serioze të të drejtave themelore dhe të parimeve kushtetuese të shtetit.
Në një deklaratë publike, UGSH thekson se reagimi vjen pas një sërë denoncimesh në media, si dhe nga organizata të shoqërisë civile dhe personalitete të ndryshme në vend, që kanë ngritur alarmin për moszbatimin e gjuhës shqipe në institucione dhe në jetën publike.
Sipas UGSH-së, praktikat e deritanishme përbëjnë “akt goditës” ndaj të drejtave bazike dhe janë në kundërshtim me parimet e shtetit të së drejtës. Në deklaratë nënvizohet se një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian nuk mund të tolerojë cenimin e një të drejte themelore siç është përdorimi i gjuhës, e garantuar me Kushtetutë.
“Ky kriter është bazik për funksionimin e republikës dhe për bashkëjetesën ndëretnike”, thuhet në reagim, duke shtuar se sjellje të tilla përfaqësojnë “reminishenca të së shkuarës” dhe reflektojnë qasje nacionaliste të papranueshme në një shoqëri multietnike.
UGSH u bën thirrje mediave dhe gazetarëve maqedonas në Maqedoninë e Veriut që të tregojnë solidaritet dhe të mbështesin respektimin e gjuhës shqipe, si një standard kushtetues dhe demokratik. Njëkohësisht, kërkohet raportim objektiv dhe denoncim i çdo rasti kur përfaqësues institucionalë, përfshirë zyrtarë të lartë, cenojnë këtë të drejtë ligjore.
Në të njëjtën linjë, organizata shpreh mbështetje për reagimet publike dhe protestat e paralajmëruara, veçanërisht për protestën e studentëve shqiptarë, duke i konsideruar ato si reagim legjitim në mbrojtje të një të drejte themelore.
UGSH gjithashtu u bën thirrje anëtarëve të saj që të marrin pjesë në protestë në cilësinë e gazetarëve, për të siguruar një pasqyrim sa më të gjerë mediatik, si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar.
Në fund të deklaratës, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë kërkon edhe angazhim më të madh nga institucionet e Republikës së Shqipërisë dhe përfaqësuesit e saj në organizmat ndërkombëtarë, për të ngritur këtë çështje dhe për të kërkuar hetim të rasteve, me qëllim garantimin e plotë të të drejtës për përdorimin e gjuhës amtare të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo