Gjuha jonë, e drejta jonë! “Më mirë për Tetovën” thirrje për mbështetjen e protestës

Iniciativa qytetare “Më mirë për Tetovën” ka bërë thirrje për protestë qytetare të hënën, më 6 prill 2026, me moton “Gjuha jonë, e drejta jonë”, duke kërkuar zbatim të plotë dhe të pakompromis të përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore në Maqedoninë e Veriut, përcjell gazeta KOHA.

Në njoftimin e tyre, organizatorët theksojnë se gjuha nuk është vetëm mjet komunikimi, por element themelor i identitetit dhe barazisë në një shtet multietnik. Sipas tyre, respektimi i gjuhës shqipe nuk duhet të trajtohet si çështje statistikore apo temë e politikës ditore, por si një standard i domosdoshëm për barazi reale mes qytetarëve.

Ata vlerësojnë se ekziston një hendek i thellë mes normave kushtetuese, legjislacionit dhe praktikës institucionale.

“Në vend që Kushtetuta të reflektojë realitetin shoqëror dhe ligjet ta konkretizojnë atë, në praktikë ndodh e kundërta: interpretimet kufizuese dhe mungesa e vullnetit institucional çojnë në deformim të të drejtave dhe në pabarazi”, thuhet në reagim.

Sipas iniciativës, çdo dobësim në këtë zinxhir – nga Kushtetuta, te ligji e deri te zbatimi në administratë – dëmton besimin e qytetarëve në shtet dhe rrezikon kohezionin shoqëror. Ata theksojnë se garantimi i përdorimit të plotë të gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e pushtetit nuk e dobëson shtetin, por e forcon atë përmes rritjes së përfshirjes qytetare dhe legjitimitetit institucional.

Në reagim vihet në pah edhe dimensioni kulturor dhe historik i shqipes, e cila cilësohet si një nga gjuhët më të lashta dhe si element i panegociueshëm i identitetit të shqiptarëve.

“Përdorimi i gjuhës shqipe nuk mund të kufizohet apo relativizohet nga asnjë mekanizëm institucional apo politik. Ai duhet të mbrohet dhe të garantohet pa kompromis si e drejtë themelore”, theksojnë organizatorët.

Në fund, iniciativa “Më mirë për Tetovën” u bën thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar më 6 prill, për të mbrojtur të drejtën për përdorimin e gjuhës shqipe përmes një reagimi qytetar.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo