Alarm për vogëlushen e veshur kuqezi, heshtje për manipulimet: RTVM dhe Agjencia e Mediave me dy palë standarde!
Do të ketë përgjegjësi për redaktorët shqiptarë të kanalit të dytë televiziv të shërbimit publik – RTVM2, pas ritransmetimit të Festivalit të Këngëve për Fëmijë “Bilbilat e Korabit”, ku një vajzë e vogël këndoi këngën “Trojet shqiptare” e veshur me një bluzë kuqezi me hartën e territoreve shqiptare.
Këshilli Programor i RTVM-së, pas presioneve të mediave dhe opinioni maqedonas, të cilët paraqitjen e vogëlushes e quajtën “provokative” dhe kërkonin “kokë turku” për ta dënuar, sot në mbledhje e kanë ngarkuar drejtorin e RTVM-së, Marjan Cvetkovski që të hapë procedurë disiplinore përmes së cilës do të hetohet dhe përcaktohet se kush ka lejuar transmetimin e këngës “dhe me këtë ka shkelur dispozitat ligjore”.
“Procedura duhet të tregojë se ku qëndron përgjegjësia dhe ai që është përgjegjës, të mbajë pasojat, por njëkohësisht kemi theksuar se është e nevojshme të forcohen mekanizmat e mbikëqyrjes për gjithçka që transmetohet në eterin e MRT-së, në mënyrë që në të ardhmen të mos ndodhin shkelje të tilla apo të ngjashme”, ka deklaruar për “Fokus”, kryetari i Këshillit Programor, Davor Pashoski.
Siç shkruan “Fokus”, rasti tani kalon në duart e drejtuesit të parë të MRT-së, Cvetkovski, i cili përmes kompetencave ligjore duhet të përcaktojë përgjegjësi konkrete për këtë lëshim.
Drejtori Cvetkovski në një bisedë telefonike nuk e ka përjashtuar mundësinë e shkarkimit të redaktores Gashi, pavarësisht se ajo, prej kohësh ndodhet në pushim mjekësor.
Gjithçka ka ndodhur të shtunën në orën 11:00 kur u ritransmetua një incizim Festivali i Këngëve për Fëmijë “Bilbilat e Korabit, ku një vajzë e veshur me një bluzë kuqezi dhe me hartën e territoreve të banuar me shqiptarë, këndon këngën “Trojet shqiptare”.
Për të qenë ironia edhe më e madhe, nga kënga dhe vogëlushja, ishte alarmuar edhe Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale. Kjo e fundit kishte konstatuar madje “shkelje serioze nga RTVM2” në ritransmetimin e programit për fëmijë “Bilbilat e Korabit”.
Sipas raportit të ASHMAA-së, performanca përmbante elemente që nxisin intolerancë kombëtare dhe etnike, përmes simboleve irredentiste dhe mesazheve politike.
“Me këtë interpretim nxitet dhe përhapet intolerancë mbi baza kombëtare dhe etnike”, kishte konstatuar ASHMAA.
Por, si qëndron e vërteta? Festivali i transmetuar të shtunën është ritransmetim pasi Festivali ishte dhënë në RTVM2 para tre vitesh. Transmetimi i Festivalit ishte pjesë e Programit të RTVM-së i miratuar nga Këshilli i atëherhshëm Programor dhe i miratuar edhe në Parlamentin e Maqedonisë. Megjithatë, në 2023 Këshilli Programor nuk kishte lejuar as të dikutohet çështja e vogëlushes pasi RTVM2 nuk ka asnjë ingerencë mbi organizimin e Festivaleve, e hiç më pak se kush si duhet të vishet në skenë.