Nga Kryqi i Kuq në Gostivar thonë se dhurues më të rregullt të gjakut janë pjesëtarët e Policisë, ndërsa numër të vogël ka nga nxënësit e shkollave të mesme. Krahas kësaj, nuk mungojnë edhe vullnetarët që dhurojnë gjak
Urim HASIPI
Gostivar, 1 prill – Largimi i qytetarëve drejt vendeve perëndimore ka impakt negative në shumë sfera të shoqërisë. Kështu, pakësimi i numrit të banorëve ka bërë që të ulet edhe numri i dhuruesve të gjakut në rajonin e Gostivarit. Kjo theksohet edhe në raportin e fundit të Kryqit të Kuq në Gostivar, ku brenda vitit 2025 ishin dhuruar 1700 njësi me gjak, ndërsa planifikimet në fillim të vitit kishin qenë që të grumbullohen rreth 3000 njësi me gjak. Ndërkaq, sipas njoftimeve, Kryqi i Kuq në Gostivar gjatë vitit që e lamë pas kishte organizuar 20 aksione për dhurimin e gjakut në bashkëpunim me shërbimin e transfuziologjisë në Spitalin e Gostivarit. Merita Alili, nga Kryqi i Kuq në Gostivar, thotë se një nga arsyet që ka më pak dhurues të gjakut është migrimi pasi që janë larguar edhe dhuruesit potencial të gjakut, që kryesisht është mosha mesatare.
“Vitin 2025 e kemi përmbyllur me 21 aksion për dhurimin e gjakut. Këto aksione i realizojmë bashkërisht me shërbimet e transfuziologjisë së Gostivarit, me të cilët kemi një bashkëpunim shumë të mirë. Vitin 2025 e kemi përmbyllur me grumbullimin e 1714 njësi të gjakut dhe këtu sipas planit të paraparë për vitin 2025 kishim planifikuar mbi 3000 njësi. Këtu ka ndikuar migrimi ku kemi më pak banorë dhe kështu nuk është arritur plani që kishim për vitin që po e lëmë pas”, thotë Merita Alili, nga Kryqi i Kuq në Gostivar.
Ndonëse nuk janë arritur objektivat thotë ajo, megjithatë mungesë të gjakut nuk ka për pacientët që kanë nevojë. Sipas saj, edhe këto njësi të grumbulluara me gjak nga dhuruesit janë të mjaftueshme për spitalin e Gostivarit, kurse si pasojë e largimit të qytetarëve edhe nevojat janë më të vogla. Nga Kryqi i Kuq në Gostivar thonë se dhurues më të rregullt të gjakut janë pjesëtarët e Policisë ndërsa numër të vogël ka nga nxënësit e shkollave të mesme. Krahas kësaj, nuk mungojnë edhe vullnetarët që dhurojnë gjak dhe numri i tyre është 147. Pikërisht, vullnetarët janë ata që japin gjak edhe në rast nevoje urgjente kur kërkohet.
“Pjesën më të madhe të aktiviteteve që i realizon kryqi i kuq janë vullnetarët. Vitin 2025 e kemi përmbyllur me 147 vullnetarë të moshave të ndryshme. Prej tyre, 60 vullnetarë janë vullnetarë të rinj. Prandaj, apelojmë tek të gjithë qytetarët që kanë mundësi dhe ndihen të shëndoshë që të dhurojnë gjak sepse dhurimi i gjakut shpëton jetë”, thotë Merita Alili, nga Kryqi i Kuq në Gostivar. Nga Kryqi i Kuq në Gostivar rikujtojnë se përveç aksioneve në terren, qytetarët mund të dhurojnë gjak çdo të hënë dhe të enjte në repartin e transfuziologjisë në Gostivar. Nga atje apelojnë që qytetarët mos ngurojnë të bëhen pjesë e dhurimit të gjakut sepse nuk shkakton probleme shëndetësore. (koha.mk