U miratua Propozim-ligji për procedurën kontestimore, realizohet edhe një detyrim tjetër nga Strategjia zhvillimore për gjyqësorin

Qeveria, në mbledhjen e sotme të rregullt të 160-të, miratoi Propozim-ligjin për procedurën kontestimore, një zgjidhje ligjore gjithëpërfshirëse procedurale që është përgatitur për një periudhë më të gjatë kohore, në konsultim me opinionin profesional dhe akademik. Me miratimin e tij realizohet edhe një detyrim i rëndësishëm nga Strategjia zhvillimore për gjyqësorin 2024–2028, si dhe pjesë e Programit të punës së Qeverisë për vitin 2025.

Bëhet fjalë për një ligj sistemor që sjell ndryshime thelbësore dhe të thelluara me qëllim përmirësimin e efikasitetit, transparencës dhe sigurisë juridike në procedurat civile.

Risitë kryesore në këtë zgjidhje ligjore janë:

Sigurimi i mbrojtjes juridike më cilësore dhe zhvillimi më efikas i procedurave.

Përmirësimi i procedurës së ekspertizës, ku mundësohet që gjykata edhe sipas detyrës zyrtare të kryejë ekspertizë dhe shqyrtim në vend si provë, duke forcuar rolin e saj në përcaktimin e gjendjes faktike.

Vendosja e dorëzimit elektronik nga të dyja palët, si një hap i rëndësishëm drejt digjitalizimit të plotë të lëndëve gjyqësore.

Rritja e përfshirjes dhe përshpejtimi i procedurave në kontestet me vlerë të vogël.

Ulja e lartësisë së gjobave monetare për pjesëmarrësit në procedura, me qëllim rritjen e drejtësisë dhe proporcionalitetit.

Për herë të parë vendosen padi përfaqësuese për mbrojtjen e interesave dhe të drejtave kolektive, duke përmirësuar qasjen në drejtësi për grupe më të mëdha qytetarësh dhe duke shmangur njëkohësisht shpenzimet e mëdha dhe jo racionale të resurseve.

Me miratimin e këtij ligji, Qeveria edhe një herë konfirmon përkushtimin e saj për zbatimin e reformave të vërteta dhe thelbësore, e jo kozmetike, në sistemin gjyqësor, në drejtim të ndërtimit të një gjyqësori efikas, modern dhe të besueshëm.

Qeveria mbetet e përkushtuar për përmirësimin e vazhdueshëm të kornizës ligjore dhe kapaciteteve institucionale, në interes të qytetarëve dhe shtetit juridik.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo