Drejtori i sportit në Artmotion, Arlind Sadiku ka deklaruar se atmosfera në Prishtinë është e jashtëzakonshme, pak orë para ndeshjes historike mes Kosovës dhe Turqisë.
Ai tha se shumë shtetas turk kanë mbërritur në kryeqytet, megjithatë theksoi se në stadiumin “Fadil Vokrri” urohet që prezenca e tyre të mos jetë e lartë.
Ndër të tjera, Sadiku tregoi se sa ka shkuar një biletë për këtë ndeshje historike.
“Atmosfera është e jashtëzakonshme, ka shumë turq që kanë ardhur në Kosovë, kjo më ka befasuar shumë, të shpresojmë që prezenca e tyre të jetë minimale në stadium, por tash në tregun e zi po shiten me të madhe biletat. Çmimi për një biletë, e kam të konfirmuar, se për një biletë VIP ka arritur në 7000 euro”, u shpreh Sadiku në Klan Kosova.
Sadiku shtoi se nuk pret asgjë tjetër pos fitores së “Dardanëve”.