Bashkëpunimi ndërkomunal – mekanizëm kyç për mbrojtje efikase të mjedisit dhe shërbime më të mira për qytetarët

Bashkëpunimi ndërkomunal paraqet një nga mekanizmat kryesorë sistemorë për përmirësimin e menaxhimit të mjedisit jetësor dhe për sigurimin e shërbimeve cilësore, efikase dhe të qëndrueshme për qytetarët në nivel lokal. Kjo u theksua në ngjarjen konsultative “Përmirësimi dhe forcimi i bashkëpunimit ndërkomunal në vetëqeverisjen lokale”, e cila u mbajt sot në Shkup, në organizim të Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale, me mbështetjen e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP) dhe Qeverisë së Zvicrës.

Në kuadër të ngjarjes, të cilën e hapi ministri i vetëqeverisjes lokale, Zlatko Perinski, u theksua se sfidat mjedisore – ndotja e ajrit, menaxhimi i mbeturinave, mbrojtja e ujërave dhe përballja me rreziqet nga përmbytjet – nuk njohin kufij administrativë dhe kërkojnë një qasje të koordinuar, rajonale dhe sistemore. Në këtë drejtim, bashkëpunimi ndërkomunal paraqitet si një instrument i domosdoshëm për tejkalimin e kapaciteteve të kufizuara financiare, teknike dhe kadrovike të komunave.

U theksua veçanërisht se në fushën e menaxhimit të mbeturinave, bashkëpunimi ndërkomunal tashmë paraqet detyrim ligjor, përmes vendosjes së sistemeve rajonale për menaxhimin e mbeturinave, infrastrukturës moderne dhe deponive rajonale në përputhje me standardet evropiane. Kjo qasje mundëson menaxhim më efikas dhe ekonomikisht të arsyeshëm të mbeturinave, me përfitime të drejtpërdrejta për mjedisin dhe cilësinë e jetës së qytetarëve.

Në diskutime u theksua gjithashtu se një nga sfidat më të mëdha në nivel lokal është kapaciteti i pamjaftueshëm inspektues, ku një numër i konsiderueshëm i komunave nuk kanë të emëruar inspektor për mjedisin jetësor. Në këtë kontekst, bashkëpunimi ndërkomunal hap mundësi për formimin e shërbimeve të përbashkëta inspektuese, zbatimin e kontrolleve të koordinuara dhe përdorimin më efikas të burimeve.

Ngjarja hapi edhe çështje për përmirësimin e mëtejshëm të kornizës ligjore, me qëllim të përcaktimit më të qartë të fushave në të cilat bashkëpunimi ndërkomunal duhet, në disa raste, të jetë i detyrueshëm, si dhe vendosjen e një sistemi më efikas të mbikëqyrjes dhe koordinimit, përfshirë edhe nga institucionet përkatëse.

Zëvendësministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Ane Lashkoska, mori pjesë në ngjarje si paneliste dhe theksoi se bashkëpunimi ndërkomunal nuk duhet të shihet si një opsion, por si një sistem i domosdoshëm për menaxhimin e sfidave bashkëkohore mjedisore:
„Mjedisi jetësor nuk njeh kufij administrativë, prandaj edhe zgjidhjet duhet të jenë të përbashkëta. Përmes forcimit të bashkëpunimit ndërkomunal krijojmë sisteme më efikase, optimizojmë burimet dhe sigurojmë përfitime reale për qytetarët. Vizioni ynë është i qartë – një sistem funksional, i koordinuar dhe i harmonizuar me standardet evropiane për menaxhimin e mjedisit, në të cilin komunat do të veprojnë si partnerë, e jo si njësi të izoluara.“
Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor mbetet e përkushtuar në forcimin e koordinimit institucional dhe mbështetjen e vetëqeverisjeve lokale në vendosjen e sistemeve funksionale, të qëndrueshme dhe të harmonizuara me standardet evropiane për menaxhimin e mjedisit, në interes të një cilësie më të mirë të jetës për të gjithë qytetarët.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo