Mbi 40 tonë vezë të paetiketuara nga Serbia janë asgjësuar në deponinë e Drisllës, pasi shërbimet inspektuese të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), në koordinim me Drejtorinë e Doganave, parandaluan një tentativë për importin e tyre ilegal në vend.
Aksioni u realizua në vendkalimin kufitar Tabanoc, ku pas një kontrolli të detajuar u zbuluan gjithsej 572.400 vezë të freskëta, të fshehura pas paletave të para me mallra të deklaruara rregullisht. Në dërgesën e parë u gjetën 270 mijë, ndërsa në të dytën 302.400 vezë të paetiketuara.
Sipas AUV-së, ekzistonin indicie se këto produkte duhej të etiketoheshin më vonë dhe të plasoheshin rrejshëm si prodhim vendor, gjë që do të rrezikonte konsumatorët dhe konkurrencën e prodhuesve maqedonas.
”Falë reagimit të shpejtë, profesional dhe vendimtar, u parandalua një mashtrim serioz dhe një rrezik potencial për konsumatorët”, informojnë nga AUV.
Sasia totale prej 40 tonë e 410 kilogramë vezë u shpall e pasigurt dhe u asgjësua. Nga AUV paralajmërojnë se për subjektet e përfshira do të shqiptohen masa përkatëse, si dhe do të kryhen kontrolle shtesë për veprimtarinë e tyre të deritanishme.