Përplasje në ASH-në e 4: Arben Fetahu shkon në mbledhjen e thirrur nga Azir Aliu. Përmendet edhe Adnan Azizi…
ASH-ja nuk po gjen qetësi. Në mbledhjen e fundit të thirrur nga Azir Aliu ka ndodhur një incident verbal. Siç mëson portali TetovaSot nga një anëtar i ASH-së së 4, zëvendëskryeministri Arben Fetahu ka marrë pjesë në mbledhje, duke theksuar se nuk do të largohet nga ASH-ja.
“Askush nuk e priste që Arben Fetahu të ishte në mbledhje. Erdhi dhe u ul në rreshtin e parë, afër deputetes Mimoza Musa. Në momentin që mori fjalën, u shpreh se ka komunikim të vazhdueshëm me deputeten Mimoza Musa, duke krijuar një heshtje totale në sallë”, thotë për TS anëtari i ASH-së së katërt.
“Pasi deklaroi se ka kontakte me Mimoza Musën, ai iu drejtua Latif Arifit duke i thënë se është ‘piun’ i Adnan Azizit dhe se i ka premtuar Ilir Demirit postin e nënkryetarit të VLEN-it edhe pse Ilir Demiri ka qenë deputet i AKI-së. Më pas, Arben Fetahu paraqiti një propozim që deputetja Mimoza Musa të jetë e deleguar e ASH-së për formimin e VLEN-it e jo Ilir Demiri të jetë nënkryetar”, shton më tej anëtari i ASH-së.
I pyetur nga portali TS nëse ka pasur sharje apo përplasje fizike gjatë mbledhjes, anëtari i ASH-së u përgjigj shkurt: “Jo”.
Edhe pse tentuam të marrim një prononcim nga Arben Fetahu dhe Azir Aliu, nuk arritëm të sigurojmë konfirmim nga asnjëra palë për këtë ngjarje brenda ASH-së së katërt.
Ndryshe, Aleanca për Shqiptarët tashmë zyrtarisht i takon Arben Taravarit me vendim gjykate. Ziadin Sela ka themeluar një parti të re me emrin “Lidhja Shqiptare”, ndërsa përflitet se edhe dy grupet e ndara mund të krijojnë një parti të re me emrin “Aleanca e Re”, ku ende nuk dihet kush do të jetë kryetar – Arben Fetahu apo Azir Aliu.