Fund ndërtimeve pa leje në Strugë? Qyra paralajmëron aksion të përbashkët me Inspektoratin për kontrolle në bregun e liqenit
Ndërtimet pa leje në Strugë nuk do të tolerohen më. Ky është mesazhi i qartë që vjen nga Komuna, pas një takimi pune të zhvilluar nga kryetari Mendi Qyra me përfaqësues të Inspektoriati Shtetëror për Ndërtim dhe Banim.
Në takim, ku morën pjesë drejtori Zuheir Rexhepi si dhe inspektorët Jeton Rustemi dhe Mevlan Ramadani, u diskutua gjendja reale në terren dhe numri i madh i lëndëve të grumbulluara ndër vite nga ankesat e qytetarëve.
Sipas njoftimit, shumë shpejt priten hapa konkretë: do të nisë një aksion i përbashkët inspektimi mes inspektorëve lokalë dhe atyre shtetërorë. Fokusi kryesor do të jetë në zonat më të ndjeshme dhe më ekskluzive të qytetit, veçanërisht përgjatë bregut të liqenit. Qëllimi është i qartë – vendosja e rendit dhe ligjit, parandalimi i çdo ndërtimi ilegal dhe mbrojtja e hapësirave publike dhe natyrore. Autoritetet theksojnë se këto masa janë në përputhje me udhëzimet nga niveli qendror dhe partnerët ndërkombëtarë, ku lufta kundër ndërtimeve pa leje konsiderohet kusht për zhvillim të qëndrueshëm.
Paralelisht, Komuna do të zhvillojë edhe fushata sensibilizuese për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve kundër ndërtimeve ilegale dhe ndërhyrjeve në zonat e mbrojtura. Kryetari Qyra u bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë ligjin dhe të shmangin ndërtimet pa leje, duke theksuar se dyert e Komunës janë të hapura për çdo kërkesë, në mënyrë që çdo proces ndërtimi të zhvillohet sipas standardeve ligjore./Strugalajm/