Në emisionin „Win-Win“ ishte i ftuar lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, i cili foli hapur për arsyet pse partia e tij vendosi të largohet nga koalicioni qeveritar, duke e përshkruar atë si një periudhë marginalizimi dhe mosfunksionimi.
“Ideja jonë në fillim të vitit 2024 ishte shumë e mirë – u thamë shqiptarëve se duhen ndryshime pas 22 vitesh pushtet të BDI-së”, deklaroi Taravari, duke kujtuar se koalicioni Vlen arriti të fitojë 107.000 vota dhe të përmbushë qëllimin kryesor – dërgimin e BDI-së në opozitë.
Megjithatë, entuziazmi u shua shpejt. Sipas tij, pas vetëm dhjetë muajsh qeverisje, partia u përball me realitetin e ashpër. Ai pretendon se VMRO-DPMNE ka ushtruar “margjinalizim total” ndaj kuadrove të tyre, ku shumica e drejtorëve nga Vlen vareshin nga zëvendësdrejtorët.
“Vlen është vetëm një dekor në qeveri, sa për të thënë se ka përfaqësues shqiptarë, por pa asnjë ndikim dhe pa asnjë fuqi reale”, theksoi Taravari.
Taravari drejtoi kritika serioze edhe ndaj kryeministrit Hristijan Mickoski, duke e akuzuar për dobësim të qëllimshëm të faktorit politik shqiptar.
“Mickoski arriti të marginalizojë plotësisht shqiptarët dhe të tregojë se mund të qeveriset edhe me një grup partish të vogla, të cilat as nuk duhet të bëjnë diçka, e as nuk dinë”, tha ai, duke shtuar se shumica e ministrave nga blloku shqiptar ishin anonimë dhe pa përvojë pune.
Pikat kyçe të marrëveshjes së koalicionit, sipas tij, kanë mbetur vetëm në letër, ndërsa shtoi se decentralizimi fiskal jo vetëm që nuk ndodhi, por ligji i ri për vetëqeverisje lokale ua ka zvogëluar edhe më shumë kompetencat komunave.
Sipas Taravarit, është më mirë të jesh në opozitë sesa të jesh kukull në qeveri.
“Unë nga karakteri nuk mund të jem kukull në një qeveri… Të jesh pjesë e një sistemi jofunksional është idiotizëm”, u shpreh Taravari.