Shkup, 25.03.2026 Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, dhe kryetari i Komunës së Haraçinës, Daut Beqiri, në takimin e sotëm të punës konfirmuan progresin e projekteve kyçe infrastrukturore në komunë.
Aktualisht janë aktive katër projekte të reja për zgjerimin e rrjetit të kanalizimit dhe rregullimin e shtretërve të lumenjve në vendbanimet Orllancë, Grushinë, Mojancë dhe Haraçinë. Po ashtu, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, po punohet për modernizimin e sistemit të furnizimit me ujë, me qëllim sigurimin e qasjes së qëndrueshme në ujë të pastër për të gjithë qytetarët.
Përmes thirrjeve të deritanishme të Ministrisë, janë siguruar rreth 200 milion denarë për përmirësimin e kushteve të jetesës. Në kuadër të ciklit të parë investues janë përfunduar plotësisht 12 projekte për kanalizim fekal dhe atmosferik, si dhe rregullimi i shtratit të lumit Mojancës. Në fazën përfundimtare ndodhet edhe një nga projektet më të mëdha, rregullimi i kanalit periferik në Haraçinë, me vlerë mbi 63 milion denarë.
Ministri Hoxha theksoi se këto investime janë rezultat i drejtpërdrejtë i bashkëpunimit të suksesshëm ndërmjet pushtetit qendror dhe atij lokal, me synim sigurimin e mbrojtjes më të mirë të mjedisit dhe kushteve më cilësore të jetesës për qytetarët.