Pyetja që shtrohet natyrshëm sot është se janë partiçkat tona të severnistanit përgjegjëse dhe bashkëfajtore për miratimin e 20% në kushtetutë, si gjuhë pa emër, nomade pa identitet?
Sigurisht që janë bashkëfajtore dhe pjesëmarrëse në përdhosjen e identitetit tonë gjuhësor dhe kombëtar, si pakicë e papërfillshme në državën e Severnistanit!
Ndaj, nuk ka pse çuditemi nga shpërthimi i shovinizmit maqedon ndaj gjuhes shqipe, si Kostandinovski apo Fillkovi që kanë dalë hapur kundër përdorimit të gjuhës së 20%!
Këto janë pasojat e një politike vasaliteti që kanë pranuar partiçkat tona të Severnistanit, të paktën nga MO e këtej, për hir të një posti qeveritar, duke u servilosur para despotëve qeveritar të gjitha pa përjashtim, i shitën interesat kombëtare për një grusht para!
Partiçkat tona politike nuk janë gjë tjetër veçse rrangalla të kallaisura nga kallajxhinj maqedonë të pushtetit, që kallaisën kazanët dhe kusikçkat shqiptare si enë që do përgatisnin ushqimin e dehjes së madhe, si “partitë dalëzotëse shqiptare”.
Këto partiçka rrumpalla të demokracisë maqedone qysh me krijimin e pluralizmit politik apo të ekonomisë së tregut, u shpallën si “dalëzotësit dhe përfaqësuesit e shqiptarëve, ku për tri dekada nuk përfaqësuan shqiptarët, por përkundrazi, përfaqësuan interesat e tyre të ngushta klanore dhe vetjake.
Ata u thanë shqiptarëve se në parlamentin e vendit dhe në bordellon qeveritare, ku janë rehatuar prej tri dekadash do të mbrojmë identitetin kombëtar dhe barazinë e plotë mes shqiptarëve dhe maqedonëve, fakt që me pjesëmarrejen e tyre në qeveritë e koalicionit nuk u realizua kurrë.
Për tri dekada rresht në qeveritë e koalicionit partiçkat shqiptare kanë dështuar me kërkesat e tyre mjerane si lypsarë leckamanë që kërkojnë lëmoshë, duke u quravitur para despotëve maqedonë për një çik pushtet dhe jo për barazinë e plotë të shqiptarëve me maqedonët, ashtu siç i kanë gënjyer shqiptarët me rrëfenjat e tyre për liri dhe barazi, përkundrazi ata i kanë ndihmuar pushtetit në çimentosjen dhe përforcimin e supremacisë së shtetit dhe pushtetit maqedon mbi shqiptarët.
Medai Shaholli
