Haxhiu: Do të bëj gjithçka që vendi të mos shkojë në zgjedhje, s’është koha për inate dhe lojëra politike

Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka deklaruar se është e rëndësishme të pritet njoftimi dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin e Presidentes, për të vepruar më pas në përputhje me përgjegjësitë që ju takojnë.

Haxhiu tha se do të bëjë gjithçka për të shmangur zgjedhje të jashtëzakonshme dhe theksoi nevojën për një rrugë të përbashkët dhe konsensus për zgjedhjen e presidentit.

Sipas saj, qëndrimet e Vetëvendosjes tregojnë interes dhe vullnet për bashkëpunim, dhe ky vullnet duhet të ekzistojë nga të gjitha palët.

“Është shumë e rëndësishme që të pritet njoftimi apo aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, për faktin se siç e dini në të kaluarën së pari ka pasë njoftim të Gjykatës e pastaj është nxjerrë aktgjykimi. Pra sido që të ndodhë, është e rëndësishme që kjo të pritet. Siç e dini, afatin që Gjykata e ka dhënë me masën e përkohshme është 31 marsi. Uroj që sa më parë të kemi një vendim në raport me dekretin e presidentes Osmani. Kurdo që ky vendim të del, natyrisht që është e rëndësishme që ta shohim atë, ta kuptojmë atë dhe pastaj të veprojmë në përputhje me përgjegjësitë”.

“Unë si kryetare e Kuvendit do të bëj gjithçka çka është në dorën time dhe nën përgjegjësitë e mia si kryetare e Kuvendit, që vendi të mos shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të gjejmë një rrugë të përbashkët, që ta kemi një qëndrim të përafërt dhe ta kemi një konsensus në raport me zgjedhjen e presidentit. Sa unë kam parë qëndrimet edhe të Vetëvendosjes, edhe të shpalosura gjatë kësaj kohe me ftesat që kryeministri Kurti i ka bërë edhe kryetarëve të partive opozitare, është një shprehje interesi, shprehje e vullnetit, prandaj është e rëndësishme që ky vullnet të ekzistojë nga të gjitha palët”, tha ajo.

Ajo shtoi se nuk është koha për lojëra politike dhe se duhet të qartësohet rruga përpara sapo të dalë vendimi i Gjykatës.

Haxhiu shprehu shpresën që situata të tejkalohet sa më parë dhe të arrihet një zgjidhje.

Ajo theksoi se do të veprojë sipas përgjegjësive të saj si kryetare e Kuvendit për të siguruar stabilitet institucional.

“Është e rëndësishme sepse kemi shumë punë për të bërë, pra nuk mendoj që është koha që të bëjmë lojëra politike apo të kemi inate me njëri-tjetrin. Prandaj uroj që sapo të dalë vendimi i Gjykatës, që ta shohim pra siç thashë, sepse ne nuk mund ta dimë se cili do të jetë vendimi i Gjykatës, por është e rëndësishme që ta kemi të qartë rrugën përpara”, tha ajo.

“Qëndrimet si kryetare e Kuvendit në raport me dekretin unë i kam dhënë. Kam qenë edhe një nga nënshkruesit e lëndës që grupi parlamentar i Vetëvendosjes e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Prandaj besoj që gjithçka tashmë është e qartë dhe uroj që ta tejkalojmë sa më parë këtë situatë. Uroj që ta kemi një zgjidhje deri atëherë”, tha ajo.

E pyetur se si do të vepronit nëse do të mbeteni si U.D e presidentes për çështjen e emërimit të anëtarëve të KQZ-së, Haxhiu tha se e mira do të ishte që deri më 4 prill vendi të ketë president me mandat të plotë.

“Do të ishte shumë mirë që deri më 4 prill të kemi president të zgjedhur me mandat të plotë dhe jo ushtrues të detyrës së presidentit apo presidentes, por natyrisht që varësisht nga rrethanat, unë do t’i adresoj përgjegjësitë e mia në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, kudo që të jem”, tha ajo para gazetarëve.

/Reporteri.net/

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo