Alimi porosi Isenit: Heshtja jote është tradhti, jep dorëheqjen!

Këshilltarë policor, Memet Alimi i cili së fundi u suspendua nga vendi i tij i punës për shkak të mendimeve ndryshe me zëvendësministrin e Brendshëm, Astrit Iseni ka reaguar në lidhje me sistematizim e ri që është përgatitur nga MPB-ja e që pritet të kalon edhe në Qeveri. Sipas tij, me këtë sistematizim, shqiptarët kthehen para vitit 2001. Ai i bëri thirrje Isenit që të jap dorëheqje, duke e cilësuar heshtjen e njeriut të dytë të policisë si tradhëti ndaj shqiptarëve.

“Në kohën kur po përgatitet një nga proceset më të rrezikshme për përfaqësimin e shqiptarëve në Ministrinë e Punëve të Brendshme, heshtja e zëvendësministrit Astrit Iseni (🦉) nuk është më thjesht neglizhencë — është bashkëpërgjegjësi.Ndërsa pritet që rreth 38% e pozitave udhëheqëse të goditen, ai zgjedh të heshtë përballë një procesi që dëmton drejtpërdrejt shqiptarët në këtë institucion kyç.

Le të mos harrojmë: në vitin 2001, shqiptarët në MPB numëronin vetëm rreth 160 të punësuar. Pas sakrificave dhe përpjekjeve të mëdha për të drejtat tona, ky numër u rrit në mbi 2200. Ajo që u fitua me mund e sakrificë, sot po rrezikohet të humbet nga servilizmi dhe nënshtrimi politik.

Heshtja në momente të tilla është tradhti ndaj interesit qytetar. Prandaj, i bëjmë thirrje të drejtpërdrejtë Astrit Iseni (🦉): Jep dorëheqje! Nuk mund të përfaqësosh një komunitet duke heshtur kur ai dëmtohet”, ka reaguar në rrjetet sociale, Memet Alimi, këshilltar policor në MPB, aktualisht i pezulluar. Televizioni Alsat ka kontaktuar drejtpërdrejt Alimin për të dhënë versionin e tij profesional mbi sistematizimin në polici, por për shkak të masës së suspendimit, i njëjti ka qenë i kufizuar të ndan më shumë informacione.

Ndërkohë zëvendësministri i Brendshëm, Astrit Iseni ka thyer heshtjen. Lidhur me akuzat që iu drejtuan për sistematizimin në MPB, Iseni duke garantuar ka deklaruar se pozitat e shqiptarëve dhe përfaqësimi në MPB nuk do të preken. “Garantoj se në çdo model të ri organizativ shqiptarët do të jenë të përfaqësuar në mënyrë të barabartë dhe në disa segmente edhe më mirë se më herët. Askush nuk do të lejojë nënçmim të ndonjë qyteti, rajoni apo bashkësie etnike”, ka potencuar Iseni, Zëvendësministër i Brendshëm.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo