Mickoski: Nëse rajoni bashkohet, mund të ofrojë realizimin e projekteve në energjetikë në vlerë prej katër mijë miliardë në dhjetë vitet e ardhshme

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sot duke iu përgjigjur pyetjes gazetareske lidhur me intervistën e djeshme ku paralajmëroi iniciativën rajonale në energjetikë, se për çfarë bëhet fjalë dhe nëse bëhet fjalë për ndonjë investim të ri të huaj, deklaroi:

“Po, tashmë disa herë kam paralajmëruar se janë në zhvillim, në fazë përfundimtare, në fazë fillestare ose në ndonjë fazë realizimi rreth shtatëmbëdhjetë investime që duhet të krijojnë deri në pesë mijë vende të reja pune.

Sa i përket investimeve në energjetikë dhe lidhjes rajonale, vlerësojmë se kjo është praktikisht e ardhmja për rajonin. Sepse nëse paraqitemi vetëm, kam frikë se nuk do të njihemi nga investitorët. Do të thoja se shuma që kemi në dispozicion në dhjetë vitet e ardhshme është e madhe. Dhe nëse synojmë 0,01% të asaj shume, kjo është afërsisht katër trilionë dollarë amerikanë. Kjo është rreth katër mijë miliardë në dhjetë vitet e ardhshme, që rajoni, nëse bashkohet, mund të ofrojë projekte për t’u realizuar, nëse organizohemi mirë, natyrisht. Kjo është afërsisht katërqind miliardë në vit – imagjinoni çfarë transformimi të shoqërive do të ndodhë.

Nëse kemi parasysh se të gjitha 6 vendet e Ballkanit Perëndimor që janë në grup kanë një prodhim të brendshëm bruto nominal rreth dyqind e pesëdhjetë miliardë dollarë. Pra kjo është shumë më tepër se BPV-ja e tyre totale nominale dhe po flasim vetëm për 0,01%. Imagjinoni çfarë do të thotë kjo për ekonomitë tona dhe për qytetarët tanë. Mendoj se duhet të jemi të mençur si rajon, të lidhemi dhe të tregojmë e dëshmojmë se mund të bashkëpunojmë dhe dimë të bashkëpunojmë dhe të ofrojmë projekte të përbashkëta.

Ne përgatitemi shumë seriozisht. Një pjesë e këtyre përgatitjeve janë edhe disa nga projektet aktuale që tashmë po realizohen. Vetëm si rikujtesë edhe pse një pjesë e opozitës dëshironte që projekti i “Alcazar”, parku me erë në zonën e komunave Shtip, Radovish dhe Karbinci të mos ketë sukses – një investim me vlerë gjysmë miliardi dollarë – megjithatë investitori tashmë ka marrë lejet ndërtimore dhe presim që të fillojë punimet në terren diku në muajin prill, pas Pashkëve. Por jo vetëm që do të punojnë në këtë projekt, por po shfaqet interes edhe për një projekt të ri, pra vazhdim dhe zgjerim i tij.

Jo rastësisht në Davos përmenda Çebrenin dhe Galishten dhe i rikthejmë përsëri në lojë. Jo rastësisht përmenda Boshkov Mostin – natyrisht menjëherë u sulmova ashpër nga disa organizata joqeveritare, sepse ata e shohin ndryshe këtë projekt dhe mënyrën se si duhet të zhvillohet shteti.

Sido që të jetë, të gjitha këto projekte përfaqësojnë një pjesë të mundësive që kemi për investime. Këtu janë edhe ato termocentrale me gaz që i kemi paralajmëruar më parë me holdingun turk “Aksa”. Këtu është interkonektori i gazit që po ndërtojmë me Greqinë dhe ai që do të fillojmë ta ndërtojmë me Serbinë. Këtu është edhe linja e transmetimit 400 kilovolt me tension të lartë që po e nisim, pra e rifillojmë, e cila duhet të lidhë Manastirin me Elbasanin, pra me Shqipërinë. Dhe me këtë e kompletojmë përgjithësisht sistemin tonë të transmetimit me tension të lartë.

Pra kemi shumë projekte që janë pjesë e këtij plani, por unë jam i bindur se nëse organizohemi të gjithë në nivel rajonal, do të jemi më lehtë të njohur nga investitorët. Nëse sot bota flet vetëm për inteligjencën artificiale, ajo inteligjencë artificiale nuk mund të funksionojë pa qendra të dhënash, dhe qendrat e të dhënave nuk mund të funksionojnë pa energji elektrike. Prandaj mendoj se të gjithë së bashku duhet të synojmë që një pjesë e këtij portofoli investimesh ta tërheqim këtu në rajon.”

Në pyetjen nëse ka reagime nga liderët e vendeve të tjera të rajonit për këtë ide, kryeministri Mickoski tha:

“Po, nga disa po. Por mendoj se tani në Podgoricë, kur të mblidhemi në Samit, do të hyj më në detaje në shpjegimin e idesë. Mendoj se është mirë të përpunohet më hollësisht dhe besoj se do të jetë tërheqëse. Pastaj duhet të kalojë në nivel operacional që të mund të prezantohemi para investitorëve potencialë dhe më besoni, ka shumë. Disa kompani të tilla i takova në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.”

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo