Bashkëshortja e kryeministrit Mickoski në samitin global në Uashington, i organizuar nga Melania Trump: Qëllimi i Qeverisë është që të rinjtë ta kuptojnë teknologjinë dhe ta përdorin për zgjidhjen e problemeve

Bashkëshortja e kryeministrit Hristijan Mickoski, Rozi Mickoska, po merr pjesë në samitin dyditor “Fostering the Future Together Global Coalition Summit” në Uashington, i organizuar nga zonja e parë e SHBA-së, Melania Trump, ku morën pjesë përfaqësues nga 45 shtete dhe mbi 20 kompani kryesore teknologjike.

Qëllimi i samitit është të forcojë bashkëpunimin global për përmirësimin e arsimit, teknologjisë dhe mirëqenies së fëmijëve në epokën digjitale.

Kjo iniciativë promovon krijimin e partneriteteve midis shteteve dhe sektorit privat, zhvillimin e programeve inovative arsimore dhe përdorimin e teknologjive të avancuara, si inteligjenca artificiale, për mbështetjen e të rinjve.

Gjatë samitit, Mickoska mbajti fjalim në sesionin e punës me temë “Safety and Protection online”.

Në fjalimin e saj, Rozi Mickoska theksoi se në Maqedoni besojmë se shkathtësitë digjitale duhet të fillojnë herët në procesin arsimor.

“Qëllimi ynë është që të rinjtë jo vetëm ta përdorin teknologjinë, por ta kuptojnë atë, të mendojnë në mënyrë kritike për të dhe ta përdorin për zgjidhjen e problemeve të jetës reale. Një hap kyç në këtë drejtim është programi shkollor i shekullit 21, i implementuar në partneritet me organizatat ndërkombëtare dhe sektorin privat. Sot, 341 shkolla fillore dhe rreth 1900 mësues në vendin tonë janë pjesë e kësaj iniciative,” theksoi, ndër të tjera, Mickoska.

Qëllimi i sesionit të punës është të mbledhë zonjat e para nga e gjithë bota për të diskutuar mënyra dhe strategji inovative dhe për t’u adresuar sfidave me të cilat përballen fëmijët dhe nxënësit në sferën digjitale.

Pas sesionit të punës, pjesëmarrësit e samitit, përfshirë Mickoska, morën pjesë edhe në Tech Expo, ku kompanitë më të njohura botërore të teknologjisë së avancuar prezantuan disa nga produktet e tyre.

Samiti përfaqëson lansimin zyrtar të një koalicioni global që ka për qëllim t’u ndihmojë fëmijëve në mbarë botën të fitojnë aftësitë e nevojshme për të ardhmen.

Bashkëshortja e kryeministrit Mickoski në samitin global në Uashington, i organizuar nga Melania Trump: Qëllimi i Qeverisë është që të rinjtë ta kuptojnë teknologjinë dhe ta përdorin për zgjidhjen e problemeve

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo