Presidentja Osmani: Javët e fundit puna ime u përball me një fushatë baltosëse, krejtësisht të qëllimshme

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pesë vjet nga marrja e detyrës së saj si presidente, ka theksuar se ky moment nuk ishte kulmi i karrierës së saj, por fillimi i përgjegjësisë më të madhe në politikë.

Osmani tha se kalimi nga përfaqësimi në përgjegjësi është një nga proceset më të vështira në politikë, duke shtuar se “aty nuk mjafton më të jesh thjesht i pranishëm, por edhe të jesh i gatshëm të të përballesh me pasojat, pavarësisht se sa të mëdha janë ato”, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Pesë vite më parë kur mora detyrën e presidentes së vendit, nuk e pashë atë si një kulm të rrugëtimit tim, sepse realisht ishte ai moment kur filloi përgjegjësia më e lartë, sepse kalimi nga përfaqësimi në përgjegjësi është një nga proceset më të vështira në politikë, sepse aty përfundon simbolika dhe fillon pesha reale e vendimeve. Aty nuk mjafton më të jesh thjesht i pranishëm, duhet të jesh e drejtë, e qëndrueshme, e gatshme të përballesh me pasojat, pavarësisht se sa të mëdha janë ato. Kur mora këtë detyrë e dija se nuk isha vetëm. Askush në fakt që vjen nga një histori si kjo e jona, nuk është kurrë vetëm….”, tha Osmani ndër të tjera.

Por, Osmani tha se në javët e fundit puna e saj është përballur me një fushatë baltosëse. Kjo fushatë, sipas saj nuk ka të bëjë me kritikën apo llogaridhënien, por me përpjekje të qëllimshme për cenimin e dinjitetit njerëzor dhe dëmtimin e demokracisë.

“Por si përherë, historia gjithmonë e dëshmon që çdo përparim, ka edhe një kundërpeshë dhe koha e fundit e ka dëshmuar këtë…

“Në javët e fundit, puna ime është përballur me një fushatë baltosëse, që për qëllim nuk e ka kritikën dhe nuk ka të bëjë aspak me llogaridhënien. Është diçka tjetër, shumë më e ftohtë, e krejtësisht e qëllimshme. Është përpjekja për të zhveshur një njeri nga dinjiteti i tij njerëzor, për ta kthyer në objekt, për ta krahasuar me kafshët më të egra. Për ta zëvendësuar të vërtetën me imazhe të manipuluara. Gënjeshtra që përsëriten aq shumë derisa dikujt mund t’i duken të vërteta. Imazhe që krijohen për të lënduar dhe për të shkatërruar vlerat më të larta njerëzore që e kanë mbajtur popullin tonë bashkë në kohët më të rënda. Fjalë që nuk synojnë debat, por shkatërrim dhe eliminim.

“Dhe për këtë arsye duhet të flasim. Jo si viktima, asnjëherë. Por, si mbrojtëse të demokracisë. Sepse kur propaganda mund ta kthejë këdo në tradhtar brenda natës, kur e vërteta më s’ka aspak rëndësi, kur dinjiteti gjithnjë shndërrohet në dëm kolateral, atëherë e tërë demokracia është në rrezik”, tha Osmani ndër të tjera në konferencën hapëse të Javës së Gruas (WoW) 2026./Reporteri.net/

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo