Nënshkruhet Memorandumi i bashkëpunimit midis Fakultetit Pedagogjik të UT-së dhe Akademisë Rajonale të Odesës
Në kuadër të zgjerimit të bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe forcimit të dimensionit akademik e shkencor, Fakulteti Pedagogjik i Universitetit të Tetovës ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm strategjik duke nënshkruar Memorandum bashkëpunimi me Akademinë Rajonale për Zhvillim Profesional të Mësimdhënësve në Odesa, Ukrainë.
Ky bashkëpunim është rezultat i kontakteve të para të vendosura përmes bashkëpunimit me Universitetin Masaryk në Bërno, Çeki, duke dëshmuar për një rrjetëzim në rritje të Fakultetit Pedagogjik me institucione të rëndësishme evropiane në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor.
Ceremonia zyrtare e nënshkrimit u zhvillua në ambientet e Fakultetit Pedagogjik, në një atmosferë institucionale dhe bashkëpunuese. Nga Fakulteti Pedagogjik-UT, morën pjesë dekani Prof. Dr. Lulzim Mehmedi, prodekania për arsim Prof. Dr. Besa Havziu Ismaili, prodekania për shkencë Prof. Dr. Teuta Ramadani-Rasimi, si dhe sekretarja e Fakultetit Pedagogjik Mr. Sc. Mirvete Shabani.
Ndërkaq, nga pala e Odesës ishin të pranishme dy përfaqësuese institucionale: Olena Balbuza, drejtoreshë e Qendrës Rajonale për Mbështetjen e Arsimit Gjithëpërfshirës dhe Hanna Boldyrieva, metodologe në Laboratorin Metodologjik për Veprimtarinë Menaxheriale dhe Cilësinë e Arsimit në kuadër të departamentit të Filozofisë.
Memorandumi i nënshkruar parasheh një bashkëpunim të gjerë dhe të strukturuar ndërinstitucional, i cili përfshin zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore dhe arsimore, shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira në mësimdhënie dhe menaxhim arsimor, si dhe avancimin e kapaciteteve profesionale të stafit akademik dhe mësimdhënësve.
Një rëndësi e veçantë i kushtohet gjithashtu organizimit të aktiviteteve të përbashkëta shkencore, si konferenca ndërkombëtare, seminare tematike dhe tryeza diskutimi, të cilat synojnë rritjen e cilësisë së arsimit dhe promovimin e inovacioneve pedagogjike.
Ky memorandum përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të Fakultetit Pedagogjik dhe fuqizimit të rolit të tij në zhvillimin e arsimit bashkëkohor, duke krijuar ura të reja bashkëpunimi me institucione relevante në Evropë dhe më gjerë.


