Mickoski: Kemi rezerva të qëndrueshme, kemi ulur edhe TVSH-në për karburantet nga 18% në 10%

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sot duke iu përgjigjur pyetjes gazetareske lidhur me vendimin e fundit të Qeverisë për uljen e TVSH-së për karburantet dhe ndjekjen e çmimeve në rajon, deklaroi:

“Gjatë mbledhjes së djeshme të Qeverisë miratuam vendim që fillimisht të shpallim gjendje krize për periudhë prej 30 ditësh dhe më pas miratuam vendim që të ulim tatimin mbi vlerën e shtuar nga 18% në 10%. Edhe ne jemi një nga qeveritë e rralla në Evropë, ndoshta janë edhe një ose dy qeveri të tjera, që drejtpërdrejt nga buxheti e mbajnë standardin e qytetarëve. Dhe kështu edhe do të vazhdojmë, sepse për ne interesi dhe prioriteti më i madh është të ruajmë standardin e qytetarëve. Ky është edhe qëllimi i një Qeverie e popullit, siç synon të jetë kjo Qeveri. Pra, kemi edhe disa hapa të tjera edhe disa masa të tjera, por e ndjekim me kujdes situatën, qytetarët dhe bizneset duhet të jenë të qetë. Për momentin kemi sfida dhe do të kemi sfida, por gjendja elektro-energjetike në vend është jashtëzakonisht stabile, po ashtu edhe furnizimi me naftë dhe derivate të naftës është shumë i qëndrueshëm.

Në këtë moment jo vetëm që i plotësojmë nevojat e brendshme, por e dini për shkak të çmimit më të ulët të benzinës dhe naftës në rajon, kemi shumë qytetarë nga vendet fqinje që furnizohen me karburant në pikat tona të shitjes. Presioni më i madh është në kufirin perëndimor, verior dhe jugor. Në perëndim janë Ohri, Struga dhe Dibra; në jug janë Manastiri dhe Gjevgjelia, ndërsa në veri është Kumanova. Diku rreth 150 mijë litra në ditë kemi rritje të konsumit, nëse krahasohet me atë që ka qenë konsumi i zakonshëm në të kaluarën”.

Më pas kryeministri Mickoski shtoi, në lidhje me konferencën e djeshme për shtyp për takimin e rradhës me OKTA-n dhe nëse është rënë dakord për një ulje shtesë dhe si kjo do të ndikonte në çmimin përfundimtar:

“Gjatë konferencës për shtyp dje thashë se do të ketë një bisedë telefonike me drejtuesit e OKTA-s. Për këtë është e ngarkuar ministrja e Energjetikës, Burimeve Minerale dhe Minierave, deri në këtë moment, derisa të vija këtu, nuk kam informacion se a është realizuar ajo bisedë. Tani, pasi të përfundojë kjo ngjarje, do ta kontaktoj ministren dhe pres që kjo të realizohet sot, si dhe pres mirëkuptim nga ana e OKTA-s. Sepse vërtet këto janë momente kur të gjithë duhet t’i ndihmojmë njëri-tjetrit”.

Në pyetjen nëse planifikohet të ulet akciza në vend të TVSH-së, sipas shembullit të Kroacisë dhe Serbisë, Mickoski tha:

“Po, përgjigjja për këtë pyetje ka dy pjesë. Së pari, si vend kemi ngarkesat më të ulëta ndaj Qeverisë kur bëhet fjalë për benzinën dhe naftën. Për shembull, Kroacia është pothuajse dy herë më e lartë se tek ne, po ashtu edhe Serbia fqinje.

Bëmë një analizë, duke marrë parasysh çmimet në bursat për benzinën pa plumb 95 dhe 98 oktanë dhe për dizelin, dhe sipas ligjit, bursa referente për ne është bursa italiane, përkatësisht FOP Italia, në vendin e dorëzimit atje. Arritëm në përfundimin se nëse do të ndërhynim në akciza, atëherë ulja për benzinën pa plumb 95 dhe 98 oktanë do të ishte 1 denar për litër, ndërsa për dizelin do të ishte 2 denarë për litër.
Prandaj vendosëm të kemi një ndërhyrje më të fortë, më të gjerë, dhe në këtë mënyrë çmimet ulen afërsisht për 6.5 deri në 7 denarë për litër. Por sigurisht, do ta ndjekim situatën dhe si masë e radhës, kur ajo ulje të jetë më e ndjeshme, do ta kemi edhe atë në konsideratë. Por tani donim një ndërhyrje më të madhe, më të fortë, që qytetarët ta ndiejnë menjëherë, dhe të mos ketë rritje dramatike që do të ndikonte në standardin e tyre”.

Kryeministri Mickoski, në lidhje me sa do të kursejnë qytetarët nga kjo masë për uljen e çmimeve të karburanteve, deklaroi:

“Po, kemi bërë edhe një analizë të tillë, kursimi ditor është më shumë se 200 mijë euro për qytetarët. Presim që në baza javore të jetë rreth një milion e gjysmë euro afërsisht. Kështu që do të shohim, do ta ndjekim situatën dhe në vend që të jemi reaktivë, do të jemi proaktivë. Do ta përsëris, aktualisht tek ne ka bindshëm çmimin më të ulët të naftës dhe të benzinës pa plumb, përkatësisht 95 dhe 98 oktanë, krahasuar me cilindo nga vendet e rajonit”.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo