Kuba tre muaj nuk ka marrë naftë, miliona njerëz janë pa rrymë, Trump thotë se do të ishte nder ta marrë vendin
Miliona njerëz në Kubë kanë mbetur pa energji elektrike pasi rrjeti kombëtar elektrik pësoi kolaps. Ky është rasti më i fundit në një seri ndërprerjesh të mëdha të furnizimit me energji që kanë goditur vendin, i cili përballet me mungesë kronike të karburantit për shkak të bllokadës amerikane ndaj furnizimeve me naftë.
Operatori i rrjetit kuban “UNE” njoftoi se energjia elektrike po rikthehet gradualisht në provinca dhe qytete në të gjithë vendin.
Kuba është shumë e varur nga nafta e importuar, ndërsa Venezuela më parë i dërgonte rreth 35.000 fuçi naftë në ditë, që përbën afërsisht gjysmën e nevojave të vendit. Megjithatë, këto furnizime janë ndërprerë pasi Shtetet e Bashkuara arrestuan presidentin venezuelian Nicolás Maduro në fillim të janarit, gjë që e ka përkeqësuar edhe më shumë krizën energjetike në Kubë.
Sipas presidentit kuban Miguel Díaz-Canel, gjatë tre muajve të fundit nuk ka mbërritur asnjë dërgesë nafte në vend.
Ndërkohë, Donald Trump u tha dje gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se do të ishte “nder” për të që ta pushtonte Kubën.
“Qoftë për ta çliruar apo për ta marrë nën kontroll, mund të bëj çfarë të dua me të. Ata janë një komb shumë i dobësuar në këtë moment,” deklaroi Trump, i cili më parë ka kërcënuar me një “marrje miqësore” të Kubës, një vend që ka qenë në konflikt me SHBA-të që nga revolucioni i vitit 1959.
Javën e kaluar, Díaz-Canel konfirmoi se qeveria e tij është në fazat fillestare të bisedimeve me administratën e Trump për të zgjidhur mosmarrëveshjet.