Flet zëdhënësi Lënda e Kurtit për dekretin e Presidentes, sot afati i fundit për dorëzimin e komenteve në Kushtetuese
Nga Gjykata Kushtetuese kanë deklaruar se sot përfundon afati për dorëzimin e komenteve, lidhur me kërkesën e dorëzuar nga Kryeministri Albin Kurti lidhur me dekretin e Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, shkruan Reporteri.net.
Dula për Reporteri.net ka thënë se lënda është duke u proceduar dhe se afati për dorëzimin e komenteve nga palët e interesit përfundon sot.
“Kjo lëndë është duke u proceduar. Afati për dorëzimin e komenteve nga palët e interesit në këtë rast, përfundon më 11 mars 2026”, ka deklaruar Dula.
Kushtetuesja të hënën vendosi masë të përkohshme ndaj këtij dekreti, ashtu që Presidentes dhe Kuvendit u ndalohet çdo veprim deri më 31 mars, kur edhe është në fuqi kjo masë.
Kurti në lëndën e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese ka pretenduar se Dekreti i Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit “përbën shkelje të rëndë të rendit kushtetues”.
Sipas Kurtit, lejimi i shpërndarjes së Kuvendit pa një vlerësim paraprak nga Gjykata Kushtetuese krijon një precedent të rrezikshëm të menjëhershëm, por edhe për të ardhmen e stabilitetit institucional dhe funksionimit kushtetues të institucioneve të Republikës së Kosovës.
“Veprimet parandaluese në këtë rast nga Gjykata janë të domosdoshme, pasi ndërhyrja vetëm pas materializimit të pasojave do të jetë e vonuar”, thuhet në kërkesën e Kurtit.
Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se është konsultuar me dhjetëra juristë, brenda dhe jashtë kabinetit, para se të nxirrte dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.
Osmani doli me dekret mëngjesin e së premtes, teksa më pas mblodhi krerët e partive për takim konsultues mbi datën e zgjedhjeve./Reporteri.net