Zbulohet kallashnikov me municion në një hambar në Zubin Potok

Një armë automatike AK-47 me municion është gjetur gjatë orëve të para të mëngjesit në fshatin Radoševikë të Zubin Potokut, në rrethana ende të paqarta.

Sipas informacioneve nga burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin, rreth orës 01:00 të datës 11 mars 2026, njësitë e NJRSH-së gjatë patrullimit kanë hasur në një hambar pranë një shtëpie të pabanuar, ku është zbuluar arma.

Në vendin e ngjarjes është gjetur:

një armë automatike AK-47, prodhim jugosllav,

dy karikatorë, ku njëri ishte i mbushur me 27 fishekë të kalibrit 7.62 mm, ndërsa tjetri i zbrazët,

dy fishekë të armës së gjuetisë kalibër 12 mm,

si dhe një pajisje ushtarake për ushqim.

Pas zbulimit të armës, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore, hetuesit dhe forenzika e Stacionit Policor në Zubin Potok, të cilët kanë kryer ekzaminimin e vendit të ngjarjes dhe kanë sekuestruar provat materiale.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që rasti të iniciohet si “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Autorët e mundshëm ende nuk janë identifikuar, ndërsa rasti mbetet nën hetime.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo