Orët e fundit, ende pa zgjidhje për presidentin

Ka mbetur edhe një ditë deri në përfundim të afatit për zgjedhjen e presidentit. Kosovës i duhet të nxitojë ta zgjedhë presidentin e ri të vendit deri më 5 mars, për t’i shmangur edhe një palë zgjedhje të tjera të parakohshme, pasi presidentes së tanishme, Vjosa Osmani, i mbaron mandati në fillim të prillit. Presidentja aktuale, Vjosa Osmani e synon edhe një mandat të dytë. Ndonëse emrin e saj e pati propozuar LVV-ja më 2021, kjo parti tani nuk ka ndonjë emër konkret për kandidat.

Pavarësisht takimeve ndërmjet liderëve politikë, përfshirë kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarët e PDK-së dhe LDK-së, Bedri Hamza dhe Lumir Abdixhiku, diskutimet për një propozim konsensual kanë dështuar.

Kryeministri Kurti ka pasur dje një takim tjetër, të tretim me radhë me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku. As ky takim nuk prodhoi rezultat. Kurti tha se takimi shkoi në “atmosferë konstruktive”, por deklaroi se zgjidhjen për presidentin ende nuk e kanë.

Pas takimit Kurti-Abdixhiku, u mblodh edhe grupi parlamentar i LDK-së.

Deputeti i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Besian Mustafa, ka deklaruar se kjo parti nuk i konsideron të nevojshme zgjedhjet e reja në këtë fazë dhe mbetet e hapur për të kontribuar në zgjedhjen e presidentit, por vetëm përmes një marrëveshjeje politike.

Mustafa tha se si LDK kanë dy opsione për zgjidhjen e çështjes së presidentit: një kandidat konsensual mes të gjitha partive ose një marrëveshje politike mes Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-së.

Ai nënvizoi se shumica parlamentare ka 66 ulëse dhe pa votat e saj nuk mund të realizohet zgjedhja e presidentit.

Sa i përket emrit të Vjosa Osmani, Mustafa tha se LDK nuk heziton të deklarohet, por theksoi se deri më tani nuk ka kandidaturë zyrtare. Ai shtoi se me vetëm 15 deputetë, LDK nuk mund të sigurojë e vetme 30 nënshkrimet e nevojshme për propozim.

I pyetur për emrin e Glauk Konjufcës, Mustafa tha se nuk ka pasur veprim zyrtar nga VV për një kandidaturë të tij dhe se nuk mund të japë qëndrim pa një propozim.

“Në parim po kërkojmë një kandidat konsensual mes të gjitha partive politike, një kandidat jopartiak, ose një kandidat si rezultat i një marrëveshjeje politike”, deklaroi Mustafa, duke theksuar se duhet të jetë një emër për të cilin pajtohen të dyja partitë, VV dhe LDK.

Në anën tjetër në një takim që u mbajt të shtunën mes Kurtit dhe kreut të PDK-së, Bedri Hamza, ky i fundit tha se i ka bërë ofertë Kurtit për një president të zgjedhur nga PDK-ja.

Hamza theksoi se nuk e mori pëlqimin e Kurtit për një emër të propozuar nga partia e tij.

“Ne nuk kemi arritur që të kemi një kandidat i cili do të ishte konsensual, së paku jo deri më tani, e i cili do të shkonte përtej propozimeve partiake. Tash, lajmi i mirë është që PDK-ja ka vendosur të propozojë një kandidat dhe kjo natyrisht që jep shpresë për garë interesante në javën e ardhshme”, tha Kurti pas takimit.

Sipas Kushtetutës, në dy raundet e para për zgjedhjen e presidentit kërkohen 80 vota nga 120 deputetë, ndërsa në raundin e tretë mjaftojnë 61 vota. Një kandidat duhet të sigurojë fillimisht të paktën 30 nënshkrime për të hyrë në garë./Reporteri.net/

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo