Përpjekja e radhës për Presidentin, Kurti takohet sot me Abdixhikun

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot do të takohet me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhikun. Temë diskutimi do të jetë çështja e zgjedhjes së Presidentit, shkruan Reporteri.net.

Vet Kurti e konfirmoi dje në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të VV-së takimin me kreun e LDK-së, por nuk tregoi orën e takimit, ndërsa raportohet se mund të takohen në ora 14:00. Javën e kaluar Kurti ishte takuar me Abdixhikun, por biseda nuk kishte epilog për këtë çështje.

“Do ta takoj edhe Kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, ku do të diskutojmë edhe me të rreth këtij procesi. Mirëpo ne kemi qëndrimin që, nëse subjektet pajtohen që ky të jetë rrugëtimi, pra garë e hapur ku secili subjekt ka kandidatin apo kandidaten për President, atëherë edhe ne pajtohemi me këtë qasje dhe Lëvizja VETËVENDOSJE! do ta ketë kandidatin e saj për President”, ka deklaruar Kurti.

Kurti është takuar dy herë edhe me kreun e PDK-së, Bedri Hamza – por nuk ka dakordancë finale.

“Pas takimit të dytë që pata me Kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, më është kumtuar nga një qëndrim i kryesisë së tyre se ata tashmë konsiderojnë se Presidenti nga java e ardhshme duhet të vijë nga PDK-ja. Nisur nga ky qëndrim, unë mendoj se kandidati mund të vijë nga cilido subjekt – qoftë nga PDK, LDK apo Lëvizja VETËVENDOSJE! – por, në fund, zgjedhjen për President nuk e garanton përkatësia partiake, por vota në Kuvend”, deklaroi Kurti.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje e përmendi Murat Jasharin se kandidat mbi-partiak për President, ky i fundit kishte refuzuar kandidaturën.

“Për zgjedhjen e Presidentit nevojiten 80 vota dhe rrjedhimisht është e domosdoshme bashkëpunimi dhe konstruktiviteti nga opozita. Ky proces mund të realizohet qoftë përmes zgjedhjes së një figure unifikuese, siç do të ishte kandidati Jashari, apo edhe përmes një gare të drejtë dhe demokratike ndërmjet kandidatëve të propozuar nga subjektet politike, sipas procedurës kushtetuese”, ka pohuar ai.

E tash, Kurti ka kërkuar që secila parti ta ketë kandidatin e tyre.

“Nëse nuk arrijmë të gjejmë një figurë unifikuese që siguron mbështetjen e së paku 80 deputetëve, atëherë një nga opsionet e mbetura është që secili subjekt të propozojë kandidatin e vet partiak dhe të gjithë t’i nënshtrohen garës brenda Kuvendit. Këtë e parasheh edhe Kushtetuta, e cila garanton një proces demokratik ku së paku dy kandidatë i nënshtrohen një gare të drejtë, me kuorum të siguruar, duke shmangur nevojën për zgjedhje të jashtëzakonshme. Në fund, do të fitojë ai apo ajo që arrin të marrë mbështetjen e deputetëve në cilindo nga 3 raundet, ashtu siç e kërkon kushtetuta në procedurën e saj”, ka pohuar Kurti.

“Ne, si Lëvizje Vetëvendosje”, jemi, sepse duhet të jemi, të gatshëm për të dyja opsionet”, ka thënë Kurti.

Më 4 mars përfundon afati i zgjedhjes së Presidentit, mos finalizimi i këtij procesi e dërgon vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme brenda 45 ditëve. /Reporteri.net/.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo