Rama reagon pas sulmit me molotov në Vilën e Enver Hoxhës: Të rinjtë u traumatizuan nga barbaria





Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë të dielë pas vizitës së tij në Vilën e Enver Hoxhës, ku një ditë më parë protestuesit e opozitës hodhën shishe molotovi. Në një postim në rrjetin social X, Rama përshkruan dëmet e shkaktuara, duke theksuar se të rinjtë e talentuar të pritur nga fondacioni Art Explora u gjetën të traumatizuar nga sulmi i dhunshëm.

Ai kritikoi ashpër këtë veprim dhe akuzoi gjithashtu partitë opozitare për dhunë dhe vandalizëm, duke u shprehur: “Turp për çdo gjykatës që rinxjerr në rrugë këta keqbërës të Shqipërisë dhe turp për qeverisjen e gjyqësorit që rri e vështron sikur Shqipëria nuk është edhe atdheu i saj!”

Kryeministri reagoi ashpër gjithashtu edhe për lirimin e personave që hodhën molotovët duke shkaktuar zjarr dhe rrezik për qytetarët, siç thekson dhe Rama.

Shkrimi i plotë i kryeministrit Rama:

Sapo dola nga rezidenca e artistëve në ish-shtëpinë e diktatorit, ku prej kohësh tanimë fondacioni prestigjoz Art Explora mikpret të rinj të talentuar nga Shqipëria, Kosova e mbarë bota, të cilët i gjeta të traumatizuar nga çmenduria e barbarisë së mbrëmshme. Një sulm i verbër i një grushti të verbërish të paguar për të frikësuar qytetin dhe njollosur Shqipërinë, nën udhëheqjen e një ligësire kriminale tetëdhjetë e kusur vjeçare, që mban nga pas ca hunj gardhi me status deputeti, e që vjen vërdallë si i marri i lagjes nëpër Tiranë, ndërkohë që s’ia var më thuajse askush! Gjykatësit që i lirojnë këta zjarrvënës të rrezikshëm, sa herë arrestohen nga policia janë bashkëpërgjegjës për këto vandalizma të pandodhura askund në Europë me bekimin e nën hyqmin e një partie parlamentare, në selinë e të cilës nuk flitet për ide e programe, po bëhen vetëm plane dhune dhe bomba artizanale! Turp për çdo gjykatës që rinxjerr në rrugë këta keqbërës të Shqipërisë dhe turp për qeverisjen e gjyqësorit që rri e vështron sikur Shqipëria nuk është edhe atdheu i saj!

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo