Sot, më 27 shkurt 2026, shënohen gjashtë vjet nga vrasja e qëllimshme dhe në rrethana veçanërisht të rënda e familjarit tonë, Heroit Qerim Kelmendi, një nga guerilët e parë të UÇK-së, bashkëluftëtar i Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Fehmi Lladrovci, Luan Haradinaj, Ilir Konushevci, Adrian Krasniqi, Mujë Krasniqi dhe i shumë dëshmorëve e luftëtarëve të tjerë të lirisë.
Përgjatë jetës së tij, Qerim Kelmendi ka qenë objekt i fushatave të vazhdueshme të shpifjes dhe etiketimit publik, me një diskurs që ngjasonte me propagandën kriminalizuese të regjimit jugosllav dhe serb para luftës.
Në këtë kontekst, e konsiderojmë të domosdoshme t’ua rikujtojmë mediave dhe opinionit publik një fakt juridik të pakontestueshëm: nga përfundimi i luftës e deri në ditën e vrasjes, Qerim Kelmendi nuk është thirrur, ndaluar, intervistuar apo marrë në pyetje asnjëherë nga Policia e Kosovës apo nga Prokuroria e Kosovës, për çfarëdo dyshimi për ndonjë vepër penale.
Ky fakt ka peshë juridike dhe publike, sepse sipas parimit të prezumimit të pafajësisë dhe standardeve të shtetit të së drejtës, shpifja publike pa bazë institucionale përbën cenim të së vërtetës, dëmton reputacionin e viktimës dhe familjes, si dhe ndihmon drejtpërdrejt në mjegullimin e hetimit penal.
Edhe pas më shumë se gjashtë vitesh nga nata e 27–28 shkurtit 2020, vrasja e Qerim Kelmendit mbetet e pazbardhur. Familja jonë nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar substancial që do të dëshmonte përparim real në hetime. Kjo situatë bie ndesh me detyrimin ligjor të institucioneve për të zhvilluar një hetim efektiv, të pavarur dhe brenda një afati të arsyeshëm, siç parashihet nga legjislacioni në fuqi dhe standardet europiane për të drejtat e njeriut.
Sa i përket trajtimit të rastit në Prokuroria Speciale e Kosovës, faktet janë këto:
– Prokurori i parë i rastit, Haki Geci, e mbajti lëndën për rreth tre vite pa veprime të dukshme hetimore dhe doli në pension pa rezultat konkret.
– Prokurori pasues, Shpëtim Peci, pas rreth një viti u largua nga Prokuroria Speciale me dorëheqje dhe u kthye në Prokurorinë e Mitrovicës.
– Prej dy vitesh, rasti është në kompetencë të prokurores Arbëresha Raça Shala, pa asnjë informim zyrtar për masa konkrete hetimore apo rezultate të matshme.
Kjo situatë krijon dyshim të arsyeshëm për shkelje të parimit të efikasitetit procedural dhe të së drejtës së familjes për të ditur të vërtetën mbi rezultateve hetimore.
Si familje, ne qëndrojmë publikisht dhe juridikisht pas dyshimit tonë se vrasja e Qerim Kelmendit lidhet drejtpërdrejt me veprimtarinë e tij çlirimtare, si dhe me një fushatë të organizuar shpifëse që mban elemente të luftës diversioniste të shërbimeve armiqësore ose të një strukture të përbashkët kriminale. Këto dyshime kërkojnë trajtim serioz profesional dhe nuk mund të injorohen pa shkelur parimin e hetimit të gjithanshëm.
Qerim Kelmendi ka qenë i përndjekur që nga fëmijëria për veprimtari çlirimtare; si student është arrestuar, burgosur dhe torturuar nga strukturat e regjimit jugosllav, përfshirë bashkëpunëtorë shqipfolës të atij regjimi, është gjykuar në mungesë me 12 vjite burg nga Gjykata serbe e Prishtinës, në dhjetor 1997. Edhe familja jonë ka qenë e persekutuar për shkak të angazhimit të tij, si një nga guerilët e parë të UÇK-së, i plagosur në aksion çlirimtar. Këto fakte përbëjnë motiv të qartë politik, i cili duhej të ishte trajtuar si pistë prioritare hetimore.
Në këtë kontekst, mungesa e veprimeve konkrete, zvarritja dhe heshtja institucionale përbëjnë neglizhencë serioze dhe janë të papranueshme për një rast me peshë të lartë publike, historike dhe politike.
U bëjmë lutje mediave dhe gazetarëve që:
• të kërkojnë transparencë minimale ligjore mbi veprimet hetimore;
• të kërkojnë llogaridhënie institucionale për vonesat e pajustifikuara;
• të insistojnë në veprime konkrete që e çojnë rastin drejt zbardhjes së plotë dhe ndjekjes penale të përgjegjësve.
Familja Kelmendi nuk do të heqë dorë nga kërkimi i drejtësisë. Ne kërkojmë zbardhjen e plotë dhe gjykimin e krimit. Në të kundërtën, do të kërkojmë përgjegjësi ligjore dhe institucionale për dështimet e deritanishme.
Me respekt,
Man Kelmendi (në emër të Familjes Kelmendi)