Vizitë historike e Presidentit të Shqipërisë në Çashkë, ambasadori Denion Meidani: Shqipëria pranë shqiptarëve kudo që jetojnë
Për herë të parë, një President i Republikës së Shqipërisë ka vizituar Komuna e Çashkës, duke shënuar një moment me rëndësi të veçantë simbolike dhe institucionale për shqiptarët e kësaj treve.
Lidhur me këtë vizitë historike të Presidentit Bajram Begaj, ka reaguar edhe ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani. Në mesazhin e tij, ai theksoi se Shqipëria qëndron pranë shqiptarëve kudo që jetojnë, me frymë afërsie, bashkëpunimi dhe vizion të qartë për të ardhmen, njofton TS.
Sipas ambasadorit Meidani, kjo vizitë përbën një shprehje të drejtpërdrejtë të vëmendjes dhe respektit institucional ndaj komunitetit shqiptar, duke forcuar njëkohësisht lidhjet natyrore mes Tiranës dhe qytetarëve që kontribuojnë në jetën publike të shtetit ku jetojnë.
Ai veçoi atmosferën e veçantë të pritjes në Jabollçishtë, ku nën tingujt e këngëve dhe valleve tradicionale shqiptare, si dhe mes simboleve kuqezi, u përcoll një mesazh i qartë për ruajtjen e identitetit kombëtar. Sipas tij, kjo dëshmon se rrënjët, kultura dhe ndjenja kombëtare jetojnë fuqishëm kudo ku ka shqiptarë.
Vizita u vlerësua si një hap i rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe në thellimin e lidhjeve mes shqiptarëve në rajon./TS