Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka paralajmëruar se një konflikt me Shtetet e Bashkuara do të ishte “një luftë shkatërrimtare”, ndërsa ka përsëritur interesin e Teheranit për një zgjidhje paqësore, përpara bisedimeve të rëndësishme që pritet të mbahen të enjten.
Irani dhe SHBA po përgatiten të takohen në Gjenevë për negociata bërthamore, të cilat shihen si një mundësi e fundit për diplomaci, ndërsa Amerika ka grumbulluar avionë dhe anije luftarake në Lindjen e Mesme për të ushtruar presion ndaj Teheranit që të arrijë një marrëveshje.
“Nuk do të kishte fitore për askënd, do të ishte një luftë shkatërrimtare”, ka thënë Araghchi për India Today TV të mërkurën, pak para nisjes për në Gjenevë.
“Meqenëse bazat amerikane janë të shpërndara në vende të ndryshme të rajonit, fatkeqësisht ndoshta i gjithë rajoni do të përfshihej, kështu që është një skenar shumë i tmerrshëm”, ka shtuar ai.
Presidenti amerikan, Donald Trump, kërkon një marrëveshje që të kufizojë programin bërthamor të Iranit dhe e sheh këtë si një mundësi, ndërsa vendi përballet me pakënaqësi të brendshme pas protestave mbarëkombëtare muajin e kaluar.
Ndërkohë, Irani ka theksuar se dëshiron të vazhdojë pasurimin e uraniumit, edhe pse programi i tij është dëmtuar rëndë pas sulmeve të urdhëruara nga Trumpi në qershor ndaj tri objekteve bërthamore të Republikës Islamike.