I dënuari nga Haga, serbi nga Bosnja dhe Hercegovina, Dragoljub Kunarac, është dorëzuar para autoriteteve të Bosnjë e Hercegovinës, ku do të gjykohet sërish për krime lufte ndaj civilëve boshnjakë në Bosnjën Lindore, pasi sapo ka përfunduar dënimin që i ishte shqiptuar nga Tribunali Ndërkombëtar Penal.
Ai ka vuajtur dënimin prej 28 vjetësh burg në Gjermani për disa raste të përdhunimeve në vitin 1992, të cilat i kishte dënuar Tribunali i Hagës.
Kunarac do të përballet me gjykim para organeve të drejtësisë së BeH për akuza të reja lidhur me krime lufte të kryera në pjesën lindore të vendit. Prokuroria e BeH e akuzon Kunaracin për krime lufte të kryera në vitin 1992 në rajonin e Foçës, duke përfshirë vrasjen e të paktën gjashtë civilëve të kombësisë boshnjake, për të cilat nuk ka përgjigjur para Tribunalit të Hagës.
Ai gjithashtu akuzohet për tortura, deportim të civilëve boshnjakë dhe shkatërrim prone, përfshirë djegien e shtëpive, shkruan index.hr.

Pas 28 vjetësh burg në Gjermani, krimineli serb i luftës dorëzohet në Bosnjë e Hercegovinë
Krimet u kryen si pjesë e persekutimit dhe pastrimit etnik të popullsisë boshnjake dhe Kunarac ishte komandant i njësisë speciale “Zhaga” të Ushtrisë së Republikës Serbe.
Kunarac, në fakt, ishte dënuar në vitin 2002 para Tribunalit të Hagës me 28 vjet burg për krimet e kryera në Foçë në vitin 1992, kur si komandant i njësisë speciale të Ushtrisë së Republikës Serbe mori pjesë në shumë krime ndaj popullsisë civile boshnjake. Kunarac u bë i pari i akuzuari i dënuar nga Tribunali i Hagës për përdhunim dhe torturim të grave boshnjake.
Përveç përdhunimit, Kunarac ishte përgjegjës edhe për krime të tjera në Foçë, duke përfshirë djegien e shtëpive dhe pronave, si dhe deportimin e popullsisë boshnjake.
Sipas aktakuzës, njësia e tij ishte kyçe në kryerjen e veprimeve kriminale në këtë rajon, dhe shumë viktima ishin civilë që u torturuan, përdhunuan dhe u vranë në mënyrë brutale.