ASH-ja e Taravarit: Karakamisheva e ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, kundër përfaqësimit të shqiptarëve në administratë?
Aleanca për Shqiptarët shpreh shqetësimin saj të ndaj deklaratës së dhënë më 18 shkurt 2026 në Kanal 5 nga Таnja Каrakamisheva në të cilën kërkohet “zvogëlimi i numrit të shqiptarëve në administratë”.
Një deklaratë e tillë është e papranueshme, diskriminuese dhe në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimet kushtetuese të shtetit dhe me frymën e Marrëveshjes së Ohrit. Parimi i përfaqësimit adekuat dhe të drejtë nuk është privilegj për askënd, por detyrim kushtetues dhe standard demokratik që garanton barazi reale në institucionet publike.
Në një kohë kur të dhënat dëshmojnë se shqiptarët ende nuk e arrijnë përfaqësimin proporcional në shumë institucione shtetërore – madje në disa struktura ai mbetet minimal ose zero – të flitet për “tepricë” është shtrembërim i fakteve dhe përpjekje për të relativizuar një të drejtë themelore.
Aleanca për Shqiptarët kërkon përgjigje të qarta nga përfaqësuesit e koalicionit VLEN:
-A distancohen publikisht nga kjo deklaratë?
-A e dënojnë qartë këtë qasje përjashtuese?
-A do të kërkojnë largimin e zonjës Karakamisheva nga çdo proces që lidhet me hartimin e ligjit për përfaqësim adekuat?
-Dhe pas kësaj deklarate, si mund të sigurohen qytetarët shqiptarë se ligji në përgatitje nuk do të synojë reduktimin, por garantimin dhe forcimin e përfaqësimit të tyre?
ASH rithekson se barazia nuk negociohet dhe përfaqësimi nuk mund të kthehet në objekt kalkulimesh politike. Çdo përpjekje për ta dobësuar këtë parim cenon besimin ndëretnik dhe stabilitetin institucional.
Shqiptarët meritojnë siguri ligjore, respekt dhe përfaqësim të drejtë – jo pasiguri të qëllimshme dhe retorikë përjashtuese.
Aleanca për Shqiptarët