Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, së bashku me ekipin hartues të Masterplanit për Çairin, gjatë javës realizuan vizita në disa prej lagjeve të komunës, me qëllim monitorimin e projekteve që tashmë kanë hyrë në fazën e zbatimit.
Gjatë vizitave në terren u prezantuan ndërhyrjet e realizuara deri më tani, si dhe fazat e ardhshme të zhvillimit urban. Ndër projektet kryesore që po transformojnë infrastrukturën lokale janë punimet në rrugën “Ferid Murat” dhe bulevardin “Mit’hat Frashëri”, ku përmirësimet në qarkullim, qasje dhe standard urban janë tashmë të dukshme.
“Masterplani i Çairit nuk është thjesht një dokument strategjik, por një proces konkret që po realizohet hap pas hapi në terren, përmes investimeve që përmirësojnë drejtpërdrejt cilësinë e jetës së qytetarëve”, theksoi kryetari Izet Mexhiti.
Paralelisht po vazhdon ndërtimi i pishinës komunale, investim me rëndësi për zhvillimin e sportit, rekreacionit dhe aktiviteteve rinore.
Segment strategjik mbetet edhe zgjerimi i bulevardit “Cvetan Dimov”, projekt që synon rritjen e funksionalitetit të trafikut dhe krijimin e një aksi më të sigurt dhe më efikas për qytetarët. Në të njëjtën kohë, vendosja e kontinjerëve nëntokësorë po sjell një qasje moderne në menaxhimin e mbeturinave dhe përmirësimin e higjienës publike.
Vizitat në terren shërbyen për të vlerësuar ritmin e realizimit dhe për të koordinuar fazat e ardhshme të punimeve, duke garantuar që projektet të zhvillohen sipas standardeve dhe afateve të planifikuara.
Masterplani i Çairit po merr formë konkrete, përmes investimeve që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës dhe në zhvillimin afatgjatë të komunës.


