Jeton Shaqiri – Ish Ministër i Arsimit
Debati aktual për reformimin e arsimit të lartë në Maqedonia e Veriut nuk duhet të reduktohet në ndryshime normative apo riformulim teknik të dispozitave ligjore. Reforma universitare është një proces strukturor që prek autonominë akademike, modelin e financimit, sistemin e sigurimit të cilësisë dhe marrëdhënien mes universitetit dhe shtetit. Përvoja evropiane dëshmon se reformat e suksesshme nuk janë produkt i improvizimit politik, por rezultat i analizës sistematike, dialogut institucional dhe orientimit strategjik afatgjatë.
Autonomia si themel i reformës, Rasti i Finlandës
Finlanda ndërmori një reformë të thellë universitare në vitin 2010, duke transformuar universitetet nga institucione të administruara drejtpërdrejt nga shteti në entitete juridike me autonomi të zgjeruar akademike dhe financiare.
Kjo reformë nuk kishte për qëllim dobësimin e rolit publik të universiteteve, por rritjen e përgjegjësisë së tyre përmes:
• menaxhimit të pavarur të burimeve,
• fleksibilitetit në politikat e punësimit akademik,
• partneriteteve me sektorin privat dhe me qendrat kërkimore ndërkombëtare,
• financimit të lidhur me performancën.
Rezultati ishte konsolidimi i universiteteve si aktorë të zhvillimit kombëtar dhe rritja e dukshme e konkurrueshmërisë ndërkombëtare.
Reforma përmes ekselencës, Modeli gjerman
Gjermania zgjodhi një qasje tjetër reformuese, të njohur si “Exzellenzinitiative”, e cila u fokusua në krijimin e qendrave të ekselencës dhe financimin konkurrues të kërkimit shkencor.
Në vend të uniformizimit të sistemit, Gjermania:
• promovoi meritokracinë,
• diferencoi universitetet sipas performancës kërkimore,
• forcoi ndërkombëtarizimin dhe publikimet në revista të indeksuara,
• lidhi financimin me rezultate konkrete shkencore.
Ky model krijoi një kulturë konkurruese të shëndetshme brenda sistemit universitar dhe rriti ndjeshëm reputacionin global të universiteteve gjermane.
Balanca midis autonomisë dhe llogaridhënies, përvoja austriake
Austria reformoi sistemin universitar përmes kontratave të performancës ndërmjet shtetit dhe universiteteve.
Shteti përcakton objektiva strategjike shumëvjeçare, ndërsa universitetet ruajnë autonominë në mënyrën e realizimit të tyre. Financimi lidhet me:
• rezultatet në kërkim shkencor,
• normat e përfundimit të studimeve,
• internacionalizimin,
• ndikimin shoqëror.
Kjo qasje ka krijuar një ekuilibër mes përgjegjësisë publike dhe lirisë akademike.
Reflektim për Maqedoninë e Veriut
Nga analiza krahasuese rezultojnë disa parime të rëndësishme që duhet të jenë dhe tek ne:
1. Reforma nuk duhet të bëhen për centralizim, por rritje të autonomisë së shoqëruar me llogaridhënie.
2. Financimi modern i arsimit të lartë lidhet me performancën dhe cilësinë, jo me shpërndarje lineare.
3. Cilësia ndërtohet përmes konkurrencës akademike dhe standardeve ndërkombëtare.
4. Dialogu me komunitetin akademik është kusht thelbësor për legjitimitetin e reformës.
Në këtë kontekst, çdo ndryshim ligjor në Maqedoninë e Veriut duhet të mbështetet në:
• analizë empirike të gjendjes aktuale,
• vlerësim të ndikimit financiar dhe institucional,
• harmonizim të plotë me standardet e Hapësirës Evropiane të Arsimit të Lartë,
• mekanizma të qartë sigurimi të cilësisë dhe transparencës.
Reforma e arsimit të lartë nuk është vetëm akt juridik; ajo është projekt kombëtar zhvillimi. Universiteti nuk është thjesht institucion arsimor ai është prodhues i kapitalit njerëzor, inovacionit dhe mendimit kritik.
Prandaj, debati duhet të zhvendoset nga pyetja “çfarë ndryshojmë në ligj?” tek pyetja më thelbësore:
Çfarë modeli universitar duam të ndërtojmë për dekadën e ardhshme?