Vuçiç: Aleanca ushtarake Kroaci-Shqipëri-Kosovë është kërcënimi më i madh për Serbinë

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, i cili ditët e fundit ka shprehur shqetësim për bashkëpunimin ushtarak mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, u ndal edhe te kapacitetet e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK). Ai vlerësoi se sipas disa indekseve amerikane, ato janë më të forta se ushtritë e Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.

​”Nuk e them unë këtë, kjo është pikëpamja e tyre, jo e imja,” deklaroi Vuçiç sipas 4news.mk, duke shtuar se bëhet fjalë për vlerësime të bëra sipas analizave ndërkombëtare.

​Duke folur për aleancën mes Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë, presidenti serb e cilësoi atë si “kërcënimin më të madh” për Serbinë, duke pretenduar se qëllimi i këtij bashkëpunimi është ushtrimi i presionit ndaj Beogradit.

​Vuçiç aktualisht ndodhet në Indi, ku po merr pjesë në një samit kushtuar Inteligjencës Artificiale. Sipas portalit “Kossev”, ai ka zhvilluar takime atje me kryeministrin indian Narendra Modi, presidentin francez Emmanuel Macron, si dhe me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviç.
​”Kossev” kujton se Kroacia nënshkroi një Deklaratë për bashkëpunim ushtarak me Shqipërinë dhe Kosovën më 18 mars të vitit të kaluar, gjë që nxiti reagime negative në Beograd. Autoritetet serbe vlerësuan se ky hap minon stabilitetin rajonal dhe përbën një provokim për Serbinë.

​Vuçiç deklaroi se sipas vlerësimeve të tij, aleanca është formuar me qëllim që të përgatitet terreni për një konflikt të mundshëm në Evropë në të ardhmen.
“Ata e formuan këtë me qëllim që të presin mundësinë e një konflikti mes Evropës dhe Federatës Ruse, dhe kur kjo të ndodhë, të mund të kryejnë një invazion mbi Serbinë nga disa drejtime të ndryshme,” u shpreh ai.

​Ai edhe më herët, nga Mynihu më 13 shkurt, kishte deklaruar se “kërcënimi më i madh për Republikën e Serbisë është aleanca ushtarake Kroaci–Prishtinë–Tiranë”.
​Megjithatë, sipas “Kossev”, retorika e Vuçiçit ndryshon kur bisedon me liderët rajonalë. Pas bisedës me kryeministrin kroat Plenkoviç, presidenti serb deklaroi se ka marrë sigurime që aleanca nuk është e drejtuar kundër Serbisë.

​”Sonte bisedova gjatë me kryeministrin Andrej Plenkoviç. Nuk do të ishte korrekte t’i nxirrja të gjitha, por mund të them se ai tha që aleanca nuk është e drejtuar kundër Serbisë. Çdo gjë tjetër që do të thosha do të dilte jashtë kornizave të qytetërimit dhe sjelljes së mirë,” u tha Vuçiç gazetarëve.

​Ai shtoi se mendimi i tij për aleancën mbetet i njëjtë si më parë, por për mirësjellje diplomatike nuk ka dashur t’i përsërisë publikisht të gjitha qëndrimet e tij.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo