VLEN-i i pafuqishëm: Drejtorët e VLEN-it ankohen për mbledhjet që vetëm në gjuhën maqedonase





Qeveria VMRO–ZNAM nuk po e merr parasysh VLEN-in. Edhe pse në përbërje ka 10 drejtorë shqiptarë dhe 6 maqedonas, mbledhjet zhvillohen vetëm në gjuhën maqedonase.

Në lidhje me këtë, drejtorët e VLEN-it sot kanë protestuar para Ministrisë së Administratës, duke theksuar se nëse mbledhjet nuk mbahen edhe në gjuhën shqipe, ata nuk do të marrin pjesë.

Ky reagim, sipas tyre, dëshmon për pozitën e pafuqishme të VLEN-it brenda qeverisë dhe për diskriminimin që u bëhet shqiptarëve në institucionet shtetërore.

Më poshtë gjeni reagimin e plotë të drejtorëve të VLEN-it.

REAGIM: VLEN, si forcë qeverisëse, e bën të qartë: nuk do të pranojmë asnjë mbledhje ku gjuha shqipe përjashtohet dhe ku kjo arrogancë vazhdon të ushqehet nga ministri i Administratës, Minçev.

Sot, në mbledhjen e thirrur për zgjedhjen e kryesuesit të Inspektorëve, gjithçka nga thirrja deri te pikat e diskutimit u zhvillua vetëm në gjuhën maqedonase. Drejtorët shqiptarë refuzuan me vendosmëri të marrin pjesë, derisa çështja e dygjuhësisë të zgjidhet. Pa shqip, nuk ka mbledhje.
Le të dihet qartë: nga 16 drejtues të inspektorateve, 10 janë shqiptarë dhe 6 janë maqedonas. Ky është realiteti i turpshëm që Minçevi e mbron me arrogancë, duke e shndërruar administratën në një instrument përjashtimi.
VLEN i dërgon një mesazh ministrit Minçev: derisa të mësohet të drejtohet edhe në gjuhën shqipe, derisa të garantojë përfaqësim të barabartë dhe respekt institucional, çdo mbledhje e tij është e pavlefshme. Ne jemi në pushtet për të garantuar barazi dhe dinjitet. Nuk do të lejojmë që shqiptarët të trajtohen si më parë, si qytetarë të dorës së dytë. Dygjuhësia nuk është opsion, është detyrim ligjor dhe kushtetues.
VLEN riafirmon: administrata nuk mund të funksionojë mbi diskriminim. Minçevi duhet të kuptojë se koha e përjashtimit ka mbaruar. Shqiptarët janë pjesë e barabartë e këtij shteti dhe do të kenë zërin e tyre në çdo institucion.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo