Hoxha në Tiranë: Korridori 8 – Shtyllë e zhvillimit rajonal dhe integrimit evropian

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, sot bëri hapjen e Forumit Ministror për Korridorin 8, i cili u mbajt në Tiranë me pjesëmarrjen e delegacioneve nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Italia dhe Rumania, si dhe përfaqësues nga vende partnere.

Forumi shërbeu si platformë e nivelit të lartë për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror dhe për përshpejtimin e zhvillimit të Korridorit 8 si një arterie strategjike për transportin modern, zhvillimin ekonomik dhe sigurinë rajonale, duke forcuar njëkohësisht integrimin dhe ndërlidhjen me rrjetet kryesore evropiane.

Në fjalën e tij, ministri Hoxha theksoi se Korridori 8 është shumë më tepër se një projekt infrastrukturor, ai është një vizion zhvillimor që lidh Adriatikun me Detin e Zi dhe krijon ura të reja bashkëpunimi ndërmjet ekonomive dhe popujve të rajonit.

“Korridori 8 përfaqëson një bosht transformues me ndikim të thellë ekonomik, mjedisor dhe gjeopolitik” u shpreh ministri Hoxha.

Ai nënvizoi se avancimi i këtij korridori është pjesë e drejtpërdrejtë e agjendës për integrim evropian, duke rritur konkurrueshmërinë e vendit dhe duke forcuar lidhjet me rrjetet evropiane të transportit dhe energjisë.

Ministri theksoi gjithashtu se zhvillimi i infrastrukturës duhet të ecë paralelisht me përgjegjësinë mjedisore, duke respektuar standardet e mbrojtjes së mjedisit, biodiversitetit dhe angazhimet klimatike.

Forumi mblodhi përfaqësues të autoriteteve publike, institucioneve evropiane, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe komunitetit të biznesit, me synimin për të avancuar dialogun mbi investimet, lehtësimin e tregtisë dhe rritjen e konkurrueshmërisë përgjatë Korridorit 8, duke e shndërruar atë në një motor të ri zhvillimi dhe prosperiteti për rajonin.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo