Militantët shpirti i liderëve partiakë!

Menjëherë pas rrethit të ngushtë të liderëve partiakë, janë të rreshtuar militantët, gardianët më besnik të liderëve, të cilët janë të gatshëm të sulmojnë edhe familjarët e tyre në rast kritike ndaj liderit të partisë!

FLorim Zeqa

Lideri militant, “gjeneral” i militantëve të vërbuar

Militantizmi i verbër partiakë fare lehtë mund të na çojë në përqarje akoma më të thella shoqërore. Liderët karrierist përmes militantëve ngrisin barriera ndërshoqërore dhe përpiqen të shembin çdo të arritur që është ndërtuar me gjak dhe sakrificë ndër vite e dekada në këtë vend.

Liderët partiakë, që do të duhej të ishin flamurtarë në shërbim të popullit, sillen si komandantë të ushtrive të shpartalluara, e jo si ndërtues të rendit demokratik.

Ata nuk bisedojnë për t’u marrë vesh mes tyre, por mendojnë për të mos u dorëzuar në barrikadim kundër njëri-tjetrit.

Nuk negociojnë për të mirën e shtetit, por kujdesën për të ruajtur krenarinë personale nën flamurin partiakë.

Ky është pak më tepër se militantizëm, është ego e sëmurë për pushtet e mbështjellur me ngjyrat e flamurit partiak, e jo me ndjenjen e atdhedashurisë!

Militantët partiak të veshur me petkun e shoqërisë civile

Militantët i gjen kudo dhe kahdo në të gjitha ngjyrat partiake, i gjen në rrugë, në kafene dhe nëpër studiot televizive. Fatkeqësia më e madhe e shoqërisë sonë është fakti se gazetarët që shtiren si të pavarur, mbajnë anime partiake!

Gjellën e kriposur që i ofrojnë publikut gazetarët nga kuzhinat partiake, e paraqet kulmin e degradimit të shoqërisë sonë!

Pasi militantët partiak të veshur me petkun e shoqërisë civile e kanë rrënuar në themel shoqërinë, duke e politizuar sipas orekseve të liderëve partiakë.

Shoqëria civile ka nevojë për gardianë që mbrojnë interesat e tyre e jo të partive politike! Qasja partiake duhet të shërbejë vetëm si alternativë për të ardhur deri tek e mira e përgjithshme, por jo të jetë e njëanshme dhe kategorikisht përjashtuese ndaj atyre që mendojnë ndryshe.

Punoni për shtet më shumë se për parti

Ashtu sikurse liderëve partiakë që nuk iu intereson shteti, por mbarëvajtja e partisë sipas llogarive të tyre, edhe militantëve partiakë ju intereson partia e jo shteti, për shkak se ata paguhen nga partia e jo nga shteti!

Militantët partiakë më shumë e duan liderin dhe prindin e tyre! Sado i keq me qenë lideri, e adhurojnë me ‘mish e me shpirtë’ qysh e thotë populli! Nuk ua nxjerr goja një fjalë të keqe, kurse prindi një dëshirë mos me ua plotësu flasin zi e terr për të!

Për ta nxjerrë shtetin nga kthetrat e uzurpatorëve dhe mashtruesve politik, në fundin e dekadës së tretë të lirisë, Kosovës i duhet një fillim i ri, me njerëz të rinj dhe ide të reja kreative për ta ndryshuar mentalitetin aktual qeverisës, gjegjësisht të marrjes gjithçka nga shteti në atë të dhënjes gjithçka për shtetin, për t’u shkëputur një herë e mirë nga të gjitha dukuritë negative të së kaluarës.

Kur militantët partiakë t’i heqin uniformat partiake dhe të vishen me petkun e idealit për shtet, atëherë mund të flasim për funksionim të demokracisë.

Kur partitë të bëhen pjesë përbërse e Republikës, dhe jo rrënues të saj, atëherë do të kthehemi kah e mbara.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo