“Argumentet kundër zotit Veseli janë të pabazuara”, kështu është shprehur mbrojtja e Kadri Veselit në seancën e sotme në gjyqin në Hagë.
Avokati Rodney Dixon tha se Kadri Veseli nuk mund të shpallet fajtor në bazë të provave që nuk janë testuar apo në bazë të thashethemeve.
“ZPS-ja kur foli të hënën foli shumë pak për zotin Veselin, deri në momentin kur nga fundi, zoti Howling iu rikthye trillimit të ZPS-së, të ligjeve dhe fakteve për një përpjekje të fundit për të përfshirë zotëri Veselin. Sipas nesh, deri në këto momente nuk u tha asgjë, madje edhe kur thanë, thanë fjalë boshe. Asgjë deri në fund të fjalës së ZPS-së, sepse nuk kanë asnjë përgjigje për akuzat që ngritëm ne sa i takon argumenteve të tyre ndaj zotëri Veselit. Por sidoqoftë, ata pretendojnë se ne nuk kemi trajtuar themelësinë e akuzave të ZPS-së. Është akuzë e rëndë kjo. Sepse ajo që bëmë ne javën e kaluar, ishte trajtimi i të gjitha akuzave, një nga një, të paraqitura nga ZPS”, u shpreh Dixon.
Më tej theksoi se gjykata nuk mund të shpall fajësinë për një person, nëse kjo shpallje fajësie do të mbështetet vetëm mbi prova të patestuara.
“Mbrojtja mbështetet në të drejtat më themelore që duhen të jenë në çdo gjykim penal, pra e thënë shkurt, të testohen provat ndaj të akuzuarve. ZPS-ja po përpiqet të shfrytëzojë pikërisht fillin e artë të të drejtës penale për të lidhur klientin tim. Ky parim ligjor është i padiskutueshëm, gjykata nuk mund të shpall fajësinë për një person, nëse kjo shpallje fajësie do të mbështetet vetëm mbi prova të patestuara dhe thashetheme”, tha ndër të tjera ai.