Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka hyrë në fazën finale në Dhomat e Specializuara të Hagës.
Sot do të dëgjohen fjalët e fundit nga përfaqësuesi i viktimave, replikat e mbrojtjes dhe deklaratat përfundimtare nga katër të akuzuarit.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi përballen me akuza për krime lufte dhe kundër njerëzimit, që lidhen me periudhën e luftës në Kosovë, 1998-1999.
Prokuroria e Specializuar i akuzon për pjesëmarrje në një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, akuza që ata i kanë mohuar dhe deklaruar se janë të pafajshëm.
Në seancën përmbyllëse do të marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Glauk Konjufca.