Sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë do të presë marshin “Drejtësi, jo politikë” sot, i cili është organizuar nga platforma “Liria ka Emër”.
Sipas organizatorëve, pritet një pjesëmarrje masive që mund të kalojë 200 mijë qytetarë nga të gjitha trevat shqiptare.
Ky manifestim ka për qëllim të shprehë qëndrimin kundër procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe do të jetë një tubim paqësor dhe gjithëpërfshirës, me kërkesën për drejtësi të paanshme.
Programi do të përfshijë aktivitete muzikore, përfaqësues të kategorive të ndryshme të shoqërisë përfshirë sindikata, artistë, mësimdhënës, mjekë dhe përfaqësues të bashkësive fetare.
Për mbarëvajtjen e tubimit janë angazhuar njësitë policore, zjarrfikësit dhe strukturat emergjente, ndërsa transporti i organizuar me autobusë nga të gjitha komunat pritet të lehtësojë ardhjen e qytetarëve në kryeqytet.