Bilall Kasami godet liderët tjerë të VLEN-it: Partitë e Arben Fetait, Izet Mexhitit e Bekim Qokut nuk kanë organe partiake (VIDEO)





Pas përfundimit të Kuvendit Qendror i Lëvizjes Besa, kryetari Bilall Kasami ka goditur paritë tjera dhe liderët e koalicionit VLEN, duke theksuar se jo të gjitha partitë partnere janë të strukturuara në mënyrë që t’i japin hapësirën e nevojshme funksionimit të plotë të VLEN-it si një subjekt i unifikuar, njofton TS.

Ai deklaroi se Aleanca për Shqiptarët, me në krye Arben Fetain, sipas tij, ende nuk i ka të konsoliduara organet partiake, ndërsa përmendi edhe Izet Mexhitin dhe Bekim Qokun që nuk kanë organe partiake.

“Partitë e tjera, në pjesën më të madhe, nuk janë të strukturuara me këtë ide që t’i japin hapësirë VLEN-it. E dimë që Aleanca, me në krye Arben Fetain, nuk i ka të konsoliduara organet partiake, dhe kjo paraqet vështirësi në këtë proces. Po ashtu edhe Lidhja Demokratike, si dhe faktorë të tjerë, siç është përfaqësuesi i Vetëvendosjes, Bekim Qoku ndonëse që në fillim kanë pasur idenë për themelimin e një subjekti të përbashkët politik, ende përballen me sfida organizative, theksoi Kasami.

Kasami, theksoi se Lëvizja BESA po jep kontributin e saj si një ndër faktorët më të rëndësishëm të VLEN-it, në mënyrë që të vazhdojë procesi i integrimit drejt një subjekti të vetëm politik./TS