Çfarë i duhet pushteti Bilall Kasamit, kur nuk mund të shkarkojë as ministrin e vet?

Shkruan: TetovaSot

Sot u bë e qartë se “Dita D” për këtë qeveri ka ardhur. E mbështetur për muri dhe përballë zhvillimeve që nuk mund të fshihen më, u pa qartë se kush është realisht më i fortë në këtë qeveri , kryeministri Mickoski, i cili refuzon hapur qëndrimin e një partie, të liderit të saj dhe mbron një ministër që është bërë objekt kërkese për shkarkim nga vetë partia që e ka propozuar.

Fakti që Bilall Kasami dhe Lëvizja BESA nuk arrijnë të shkarkojnë ministrin e tyre në Qeveri, flet shumë më tepër sesa çdo deklaratë politike. Në realitet, kjo nënkupton se BESA nuk ka peshë reale vendimmarrëse brenda kësaj qeverie.

Nënçmimi politik ndaj kreut të BESES nuk ka nisur sot. Ai është shfaqur edhe më herët, kur kryeministri Mickoski, në Tetovë, disa herë ia ka marrë fjalën publikisht Bilall Kasamit, pikërisht në qytetin që e bëri atë kryetar komune. Ky dominim publik dhe simbolik ka qenë i qartë dhe i qëllimshëm, duke treguar se për Mickoskin qeveria, para së gjithash, është e tij ndërsa partnerët e koalicionit janë thjesht pjesë formale të saj.

Sot kjo marrëdhënie force është zhveshur plotësisht nga çdo iluzion.
Nëse një parti nuk mund të emërojë drejtorët që i propozon vetë, pa miratimin personal të kryeministrit, nëse nuk mund të shkarkojë ministrin e saj, atëherë lind pyetja thelbësore: Pse rri në qeveri?

Çfarë pushteti real ka Bilall Kasami në një qeveri ku insistimi i Lëvizjes BESA për largimin e ministrit të vet peshon më pak se vullneti politik i kryeministrit për ta mbrojtur atë?
Si mund të vazhdohet bashkëjetesa në të njëjtën kupolë qeveritare me një kryeministër që refuzon hapur kërkesën e partnerit të vet dhe në praktikë, i imponon Besës se cilin ministër duhet ta mbajë në qeveri?

Sot është e qartë se në këtë qeveri peshë më të madhe ka vullneti i Mickoskit për ta mbrojtur një ministër të Besës, sesa vullneti i vetë Besës për ta larguar atë.
Kjo nuk është më çështje emrash por është çështje dinjiteti politik.
Në këto rrethana, Bilall Kasami dhe Lëvizja Besa nuk mund të vazhdojnë të sillen sikur asgjë nuk ka ndodhur. Qëndrimi në pushtet, pa fuqi reale vendimmarrëse dhe pa respekt politik, shndërrohet vetëm në barrë dhe në kosto elektorale.

Nga sot e tutje, rruga e vetme racionale për Bilall Kasamin është ta rishqyrtojë seriozisht qëndrimin e Besës në këtë qeveri dhe ta kthejë partinë në binarët e opozitarizmit të qartë dhe parimor aty ku Besa historikisht e ka ndërtuar identitetin e saj politik.

Lëvizja Besa duhet të dalë nga pozita e partnerit të heshtur dhe të imponuar dhe të rikthehet si subjekt politik me zë të pavarur, me qëndrim të qartë publik dhe me front të hapur ndaj çdo forme të nënçmimit politik.

Bilall Kasami sot nuk ka më luksin të presë. Ai duhet të zgjedhë mes pushtetit formal dhe forcës reale politike
Nëse nuk mund të ndryshojë asgjë brenda kësaj qeverie, atëherë përgjigjja është e thjeshtë, duhet të dalë prej saj dhe ta ndërtojë fuqinë politike të Besës jashtë pushtetit në opozitë, me identitet të pastër, me struktura të konsoliduara dhe me një platformë të qartë politike që synon kthimin e besimit të elektoratit shqiptar.