34% e djemve dhe 28,3% e vajzave të moshës 7 deri në 9 vjeç në Maqedoninë e Veriut klasifikohen si mbipeshë ose obezë. Këto janë të dhënat alarmante të publikuara në analizën më të re për mjedisin nutritiv në shkolla, të mbështetur nga UNICEF, e cila zbulon një realitet serioz për shëndetin e fëmijëve në vend. Raporti tregon se ushqimi i pashëndetshëm vazhdon të dominojë në dhe rreth shkollave, ndërsa sistemi arsimor dhe institucionet shtetërore ende nuk kanë krijuar politika efektive për mbrojtjen e nxënësve. Analiza nxjerr në pah se vetëm 35% e shkollave ofrojnë vakte ose ushqime për nxënësit.
“Prevalenca e mbipeshës dhe obezitetit tek fëmijët është në rritje, me 34% të djemve dhe 28.3% të vajzave të moshës 7-9 vjeç të klasifikuar si mbipeshë ose obezë. Sistemi arsimor përfshin shkolla urbane dhe rurale që ofrojnë mësimdhënie në shumë gjuhë, me regjistrime në rënie në vitet e fundit”, thuhet në raport.
Nuk ka një program të unifikuar kombëtar të të ushqyerit në shkolla të zbatuar nga shteti; disa shkolla fillore ofrojnë vakte të financuara nga prindërit, ndërsa nuk ka ofrim të organizuar të vakteve në shkollat e mesme. Standardet kombëtare të të ushqyerit në shkolla të prezantuara në vitin 2018 dhe të rishikuara në vitin 2020 përcaktojnë udhëzime për planifikimin e vakteve, por pa përcaktuar kufizime për opsionet e ushqimit të pashëndetshëm. Edukimi ushqyes është opsional dhe i kufizuar, dhe nuk ka politika që rregullojnë mjedisin shkollor në lidhje me marketingun ose shitjet e ushqimit. Të dhënat ekzistuese mbi mjedisin ushqyes në shkolla janë të pakta dhe kryesisht anekdotike.
“Vetëm rreth një e treta e shkollave (35%) ofrojnë vakte ose ushqime të lehta, kryesisht shkollat fillore në zonat urbane (70%), me shumicën e financuar nga prindërit (93%). Vetëm një shkollë ofron ekskluzivisht mundësi ushqimore të shëndetshme dhe asnjë shkollë nuk furnizohet nga furnizuesit lokalë. Në të gjitha shkollat, vaktet dhe ushqimet e lehta përfshijnë si produkte të shëndetshme (fruta, perime, drithëra të plota, produkte qumështi) ashtu edhe opsione të pashëndetshme (pije të ëmbla, ushqime të kripura dhe të ëmbla). Në pak më shumë se gjysmën e shkollave që ofrojnë vakte (57%), ekziston infrastrukturë e përshtatshme për sigurinë ushqimore. Të gjitha shkollat që përgatisin ushqim në vend përdorin kripë të jodizuar, duke reflektuar zbatimin me sukses të politikës kombëtare për jodizimin universal të kripës”, thuhet në raport.
Situata bëhet edhe më shqetësuese nga fakti se në 98% të shkollave nxënësit lejohen të blejnë ushqime jashtë objektit shkollor gjatë orarit mësimor. Dyqanet dhe kioskat pranë shkollave janë të mbushura me ushqime të shpejta dhe produkte të dëmshme për shëndetin, ndërsa mungojnë kufizime serioze për shitjen dhe marketingun e tyre.
“Mjedise për të ushqyerit shëndetshëm dhe aktivitetin fizik. Shitjet e ushqimit dhe pijeve kryhen në 20% të shkollave, me opsione të pashëndetshme që ofrohen në të gjitha rastet. Pothuajse të gjitha shkollat (98%) u lejojnë nxënësve të blejnë ushqim nga pikat e shitjes aty pranë gjatë orarit të shkollës, ku ushqimi i pashëndetshëm është gjerësisht i disponueshëm. Nuk u vunë re logo të dukshme të kompanive të ushqimit dhe pijeve në 90% të shkollave, por kjo i referohet vetëm marketingut të dukshëm gjatë vizitës dhe nuk përfshin marketingun digjital, mediat sociale ose format indirekte të marketingut ndaj të cilave nxënësit mund të ekspozohen. Në katër shkollat ku u regjistrua reklamimi i ushqimit të pashëndetshëm, kjo ndodh përmes markave në makinat shitëse dhe posterave të vendosur në mensat e shkollave. Shumica e shkollave kanë hapësirë dhe pajisje të mjaftueshme për aktivitet fizik (85%), por vetëm 5% kanë kopshte shkollore”, thuhet në raport.
Më pak se gjysma e shkollave (42%) raportuan se i referojnë fëmijët në rrezik të ushqyerjes në shërbimet shëndetësore. Ekzistojnë programe të kontrollit shëndetësor dhe mbikëqyrjes së shëndetit publik, por ato nuk janë plotësisht të integruara ose të lidhura me të dhënat individuale shëndetësore.
Një tjetër problem serioz është mungesa e edukimit profesional për ushqimin e shëndetshëm. Edhe pse 60% e shkollave deklarojnë se zhvillojnë edukim nutritiv, vetëm një shkollë ka raportuar se mësimi realizohet nga person i trajnuar profesionalisht në fushën e ushqimit dhe nutricionit. Në shumicën e rasteve, temat për ushqimin trajtohen nga psikologë, pedagogë ose përmes programeve të jashtme, pa ekspertë të specializuar.
“Edukimi për ushqyerjen ofrohet në 60% të shkollave, por vetëm një shkollë raportoi se ai ofrohet nga një mësues me trajnim formal për ushqyerjen. Më shpesh ai integrohet në lëndë të tjera ose ofrohet nga staf jo-mësimdhënës (psikolog/pedagog, programe të jashtme). Vetëm 3 shkolla (7.5%) ofruan edukim për ushqyerjen për prindërit ose komunitetin. Udhëzimet për aktivitet fizik plotësojnë kërkesën minimale prej 120 minutash në javë në të gjitha shkollat fillore dhe në gjysmën e shkollave të mesme”, thuhet në raport.
Analiza tregon se Maqedonia e Veriut ende nuk ka një program shtetëror universal për ushqimin shkollor. Në shumicën e rasteve, ushqimi në shkolla financohet nga vetë prindërit, ndërsa në shkollat e mesme nuk ekziston fare sistem i organizuar për vakte të nxënësve. Kjo krijon pabarazi të mëdha dhe lë shumë fëmijë pa qasje në ushqim cilësor gjatë ditës shkollore.
“Vlerësimi tregon një zbatim të pabarabartë të vakteve shkollore, pa një program universal dhe mbështetje të konsiderueshme në financimin prindëror. Megjithëse shkollat përputhen me standardet kombëtare të ushqyerjes, ushqimet e pashëndetshme mbeten të përhapura në vakte dhe ushqime të lehta, duke treguar nevojën për të forcuar udhëzimet dhe zbatimin e tyre. Përdorimi i kripës së jodizuar është i qëndrueshëm dhe konsiderohet një sukses i shëndetit publik”, thuhet në raport.
Raporti rekomandon masa urgjente, përfshirë krijimin e vakteve falas dhe të shëndetshme në shkolla, ndalimin e marketingut të ushqimeve të pashëndetshme, forcimin e standardeve nutritive dhe përfshirjen e profesionistëve të trajnuar në edukimin për ushqimin.
Raporti rekomandon dhjetë rekomandime, duke përfshirë: futjen e një politike universale falas për vaktet shkollore, forcimin e standardeve të të ushqyerit me kufizime për ushqimet e pashëndetshme, futjen e profilizimit ushqyes për ushqimet e ngurta, ndalimin e marketingut dhe sponsorizimit të ushqimeve të pashëndetshme në dhe përreth shkollave, zgjerimin e kopshteve shkollore, përfshirjen e edukimit mbi të ushqyerit me staf të trajnuar, promovimin e aktivitetit fizik, standardizimin e procedurave të referimit për kequshqyerjen dhe krijimin e mekanizmave të monitorimit. Këto masa duhet të integrohen në një strategji kombëtare që adreson sfidat më të gjera të të ushqyerit, me mbrojtje të integruara kundër konflikteve të interesit nga aktorët e industrisë ushqimore, të tilla si kritere transparente për partneritete, kufizime në brendimin në shkolla dhe mbikëqyrje të pavarur të zbatimit të programit.
Analiza është realizuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik, me mbështetjen e UNICEF-it. Hulumtimi u krye nëpërmjet një studimi tërthor të kryer në maj dhe qershor 2025, duke përfshirë 40 shkolla të përzgjedhura për të përfaqësuar zonat urbane dhe rurale, si dhe të dy gjuhët e mësimdhënies. Në hulumtim u përdor Mjeti i Vlerësimit të Mjedisit të Ushqyerjes në Shkolla (NEAT-S), i përshtatur në kontekstin kombëtar nëpërmjet konsultimit me palët e interesuara. Mbledhja e të dhënave përfshinte intervista me zyrtarët e shkollave, vëzhgime të drejtpërdrejta të mjediseve shkollore dhe anketa të nxënësve rreth perceptimeve dhe qëndrimeve të tyre ndaj të ushqyerit dhe aktivitetit fizik. Miratimi etik u dha nga Universiteti Daekin dhe Bordi i Rishikimit Institucional të Laboratorit të Medias Shëndetësore. Shkollat, zyrtarët, prindërit dhe nxënësit dhanë pëlqimin e tyre. Të dhënat u analizuan për të zhvilluar tregues kryesorë që kapin gjendjen e mjediseve shkollore në aspektin e të ushqyerit dhe aktivitetit fizik.
Ndryshe, në vitin 2023 u ngrit një iniciativë publike në Maqedoninë e Veriut për sigurimin e ushqimit falas për çdo nxënës në arsimin fillor dhe të mesëm. Peticioni, i cili u mbështet nga mbi 4.700 nënshkrime, kërkonte krijimin e një sistemi të unifikuar shtetëror për shujta shkollore, si reagim ndaj mungesës së një programi kombëtar të ushqimit dhe rritjes së problemeve me ushqimin e pashëndetshëm tek fëmijët.
Megjithatë, kjo iniciativë nuk pati asnjë reagim institucional dhe nuk u pasua me masa konkrete apo ndryshime në politikat ekzistuese, duke mbetur pa efekt në praktikë./Portalb