Albert Asani, anëtar i Kuvendit Qendror të Lëvizjes Besa, ka dalë me një qëndrim të ashpër ndaj kryetarit të Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, duke kërkuar llogari publike dhe transparencë të plotë.
Asani thekson se Kuvendi Qendror është organi më i lartë i partisë, mbi të cilin nuk qëndron askush tjetër, përfshirë edhe kryetarin e partisë, dhe se çdo tentativë për manipulim apo lojëra të brendshme politike duhet të marrë fund.
“Të dalin me emër dhe mbiemër të gjithë ata që pretendojnë se nuk janë të kënaqur nga puna e ministrit Fatmir Limani. Të thuhet hapur kush nuk ka marrë shërbimin e duhur, kur, për çfarë arsye dhe kush mban përgjegjësi”, deklaron Asani, ndërsa statusin e ka ilustruar me një foto të Adnan Azizit duke e mbajtur si kukull Kasamin.
Ai kërkon gjithashtu debat të hapur publik, në televizion, dhe jo, siç shprehet ai, “nëpër biruca ku manipulohet opinioni sipas interesit të momentit”.
Sipas Asanit, është e domosdoshme një përballje e drejtpërdrejtë dhe krahasim i qartë i rezultateve mes ministrit të Ekonomisë dhe ministrit Fatmir Limani: Kush ka sjellë më shumë avancime konkrete? Kush ka realizuar më shumë punësime reale? Kush ka realizuar më shumë projekte konkrete për qytetarët?
“Le të flasin faktet, jo propaganda”, thekson ai.
Asani mohon kategorikisht akuzat e paqarta dhe insinuatat që, sipas tij, po përdoren për të goditur qëllimshëm ministrin Fatmir Limani. Ai thekson se ka qenë personalisht në kontakt me anëtarë konkretë të partisë dhe se për çdo rast posedon fakte të dokumentuara që dëshmojnë reagim të menjëhershëm dhe zgjidhje të problemeve.
“Nëse dikush ka prova, le t’i nxjerrë publikisht. Në të kundërt, kjo është tentativë e pastër për manipulim politik dhe goditje të brendshme brenda partisë”, shprehet Asani.
Ai shton se e vërteta, sipas tij, është krejt e kundërta e asaj që tentohet të paraqitet në publik: nuk është Fatmir Limani ai që ka dështuar, por disa individë që po e keqpërdorin emrin e tij për interesa personale dhe klanore.
Në këtë kontekst, Asani i drejton pyetje të drejtpërdrejta publike Bilall Kasamit: Nëpërmjet kujt janë marrë mbi 70 vendime në çerdhe? Nëpërmjet kujt janë punësuar mbi 60 shqiptarë në Kodrën e Diellit? Nëpërmjet kujt është bërë pjesë e Qeverisë?
“Le të flasim me fakte, jo me hipokrizi. Le të dalë e vërteta hapur dhe të mos përdoren njerëzit si alibi për pazare politike”, thekson ai.
Në fund, Asani ngre edhe një dyshim të drejtpërdrejtë politik, duke pyetur nëse gjithë kjo situatë po përdoret si alibi për dalje nga Qeveria. “Mendova se ishit pjekur nga gabimet e së kaluarës, por po rezulton se interesi i vetëm është grabitja dhe shitja e tokave në Tetovë”, përfundon Asani.
