Përplasje brenda BESËS / Kasami: Shkarkuam drejtorin e Metrologjisë për keqmenaxhim, TS mëson: Shkarkimi lidhet me presion nga Kasami dhe Azizi për të shkelur ligjin Sedat Rushani!

Një përplasje e madhe ka nisur brenda Lëvizjes BESA. Pas konfliktit mes Bilall Kasamit dhe Adnan Azizit me ministrin Fatmir Limani, një tjetër përplasje raportohet mes Kasamit dhe ish-drejtorit të Metrologjisë, Sedat Rushani.

Vetë kreu i BESËS, në emisionin “Click” në TV21, është shprehur se Sedat Rushani është shkarkuar për shkak se nuk ka treguar rezultate të mira dhe se edhe disa ministra dhe drejtorë të tjerë mund të përballen me të njëjtin fat.

“Dje u bë një rokadë, ku u konstatua se Byroja për Metrologji nuk ka dhënë rezultate të pritshme për votuesin e VLEN-it dhe për shqiptarët. Tani kemi një drejtor të ri në atë byro të rëndësishme për qytetarët. Kjo mund tju ndodhë edhe ministrave dhe drejtorëve të tjerë, nëse konstatohet se nuk kanë dhënë rezultate të mira, mund të ndërrohen,” u shpreh Kasami.

Megjithatë, portali TetovaSot mëson se shkarkimi i ish-drejtorit Sedat Rushani nuk ka ardhur si pasojë e keqmenaxhimit, por si rezultat i presionit nga Adnan Azizi dhe Bilall Kasami për ta detyruar ish-drejtorin të veprojë kundër ligjit, duke përmbushur kërkesat e tyre.

Ish-drejtori Sedat Rushani, për portalin TetovaSot, nuk deshi të komentojë deklaratat e Kasamit, por u shpreh se në ditët në vijim do të prononcohet lidhur me punën që ka bërë dhe për arsyet e shkarkimit apo ndërrimit të tij.

Ndryshe, vlen të theksohet se Fatmir Limani pritet të shkarkojë dy drejtorë të afërt me Bilall Kasamin dhe Adnan Azizin, gjë që mund të rrisë më tej konfliktin brenda VLEN-it dhe BESËS.