Refuzimi për organizimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe
nuk është më vetëm shkelje administrative. Në këtë fazë, kemi elemente
të përgjegjësisë penale.
Pengimi i zbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve nga ana e
Ministrisë së Drejtësisë dhe personave përgjegjës përbën bazë për
përgjegjësi penale për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar,
sipas Kodit Penal, kur një zyrtar publik, me vetëdije, nuk zbaton ligjin
dhe u mohon qytetarëve një të drejtë të garantuar.
Gjithashtu, mosveprimi i qëllimshëm për zbatimin e ligjit dhe krijimi i
praktikës përjashtuese ndaj gjuhës shqipe përmban elemente të
moskryerjes së detyrës zyrtare, kur një organ shtetëror refuzon të
veprojë edhe pse ka detyrim ligjor të qartë.
Për më tepër, kjo situatë po prodhon pasoja serioze shoqërore. Mohimi i
së drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe në një procedurë shtetërore,
si provimi i jurisprudencës, dhe relativizimi publik i kësaj të drejte,
krijon klimë përjashtuese dhe përmban elemente të nxitjes së mosdurimit
ndëretnik, që është e sanksionuar si vepër penale.
Prandaj, sot, kërkesat tona janë të qarta:
Kërkojmë nga Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve që menjëherë të
konstatojë shkeljet dhe të iniciojë procedura për kundërvajtje ndaj
Ministrisë së Drejtësisë dhe personave përgjegjës.
Kërkojmë nga Prokuroria Publike që të vlerësojë ekzistencën e elementeve
për ndjekje penale për keqpërdorim të pozitës zyrtare, moskryerje të
detyrës zyrtare dhe nxitje të mosdurimit ndëretnik.
Kërkojmë përgjegjësi personale nga Ministri i Drejtësisë për çdo vendim
ose mosveprim që pengon zbatimin e ligjit.
Ligji është i qartë. Zbatimi i tij nuk është opsion. Pengimi i tij ka
pasoja juridike.