Jakupi: të fokusohemi te diagnostikimi i hershëm i kancerit

Kanceri mbetet një nga sëmundjet më vdekjeprurëse të kohës sonë, por mjekët theksojnë se zbulimi i hershëm bën diferencën. Kontrollet e rregullta dhe vizita në kohë te mjeku, rrisin ndjeshëm mundësitë për trajtim dhe shpesh shpëtojnë jetë. Mesazhi është i qartë: Mos i neglizhoni shenjat, mos e shtyni kontrollin – sepse koha, në këto raste, është vendimtare.

Mjeku Nexhati Jakupi thotë se shoqëria jonë po investon pak në largimin e dukurive të dëmshme, që si pajojë sjellin deri tek sëmundjet e kancerit në të gjitha organet, siç janë ndotja e ajrit, përdorimi i produkteve të dëmshme ushqimore, pirja e duhanit dhe konsumimi i alkoolit.

Mirëpo ai thotë se në rritje e sipër është diagnostikimi i rasteve, falë teknikës dhe teknologjisë së re, rritjes së numrit të speciasistëve dhe metodave për diagnostikim.

“Ajo që ngecim është diagnostikimi i hershëm. Si shoqëri, ky duhet të jetë fokusi ynë parësor, 24 orësh i të gjithë shoqërisë, që të arrijmë deri në diagnostikim të hershëm. Diagnostikimi i hershëm do të thotë në shumicën e rasteve edhe shërim total. Ajo që duhet të luftojmë si shoqëri është pabarazia që hasin te prekurit nga sëmundja në ardhjen deri te diagnostikimi. Duhet të menjanohen të gjitha barrierat burokratike, udhëzime, termine e kështu me radhë. Pacienti i cili i ndien simptomat e para, zotuar nga mjeku amë, duhet menjëherë t’i mundësohen që për kohë të shkurtër të bëhën të gjitha ekzaminimet e duhura. Ka gjithsej diku 7 mijë të prekur në të gjitha traktet. Kemi më shpesh kancerin në mushkëritë e bardha tek gratë, por edhe te burrat kanceri i prostatës, zorrës së trashë dhe kanceri i lukthit, mandej edhe kanceri i qafës së mitrës”, deklaroi mjeku kirurg Nexhat Jakupi.

Beqiri: Mungon strategjia për prevenimin e kancerit

Aktivistja e Shoqatës “Ezra”, Liridona Beqiri, thotë se kanë kontribuar mjaftueshëm tek qytetarët në vetëdijësimin e tyre, por thotë se janë munduar edhe të trazojnë ujërat e qeta të institucioneve shtetërore në aspekt të politikave shëndetësore. Sipas Beqirit, mungon një strategji nacionale për prevenimin e kancerit nga ana e institucioneve, duke përfshirë: skriningun e hershëm, mbrojtjen e qytetarëve në parandalimin e kësaj sëmundje, kontrollet e vazhdueshme, shërbimet cilësore që duhet të jepen, decentralizimi i shërbimeve onkologjike, mbi të gjitha ngritja e vetëdijësimit e cila është detyrë e politikave shëndetësore.

“Ngitja e vetëdijes në disa zona mund të them se është solid, sidomos në zonat rurale, aty ku plasimi i informacionit është më i vështirë dhe është një luftë paralele në mes mentalitetit dhe vet sëmundjes. Nga ana tjetër është një luftë paralele në luftën kundër kancerit, është një luftë psikologjike që prek edhe femilitetin te gratë, mirëpo dua të potencoj që kanceri i gjirit është një sëmundje që më nuk bën dallim në gjini, i cili prek edhe gjininë mashkullore dhe mund të them që vetëm vitin e kaluar me kancer në gji janë diagnostikuar 15 meshkuj dhe iu kanë nënshktruar operimit. Fatkeqsisht gratë vijnë në faza shumë të vonshme, atëherë kur sëmundja është e përparuar dhe diagnostikimi është në fazë të vonshme, ku përfundon në cungim të tmerrshëm të trupit të gruas, me pasoja psikologjike. Ne si shtet nuk kemi ndonjë strategji për t’i ndihmuar qytetarët”, u shpreh kryetarja e shoqatës “Ezra”, Liridona Beqiri.

Beqiri propozon që politika vendore të gjejë një mënyrë, e cila do të jetë obligative për popullatën që t’i nënshtrohet kontrolleve të hershme parandaluese, dhe mbi të gjitha të bëhet decentralizimi i shërbimeve onkologjike, sepse janë raste që këtyre trajtimeve duhet t’i nënshtrohen pacientë edhe nga vende të tjera, që në pamundësi financiare pët t’i mbuluar kostot, shkaktohet një kaos tek institucionet, por edhe tek vet popullata.