Fetai: Qeveria e vendosur të godasë rrënjët e krimit, jo vetëm majat e tij





“Konfiskimi i rreth 40 tonëve kanabis është goditje serioze ndaj krimit të organizuar dhe një ndër sekuestrimet më të mëdha që kemi parë deri më tani,” ka deklaruar zëvendëskryeministri Arben Fetai, duke përshëndetur aksionin e Policisë dhe Prokurorisë.

Sipas Fetait, ky operacion përbën sinjal të qartë se Qeveria është e vendosur të godasë rrënjët e krimit dhe jo vetëm majat e tij. Ai theksoi se kur flitet për dhjetëra tonë drogë, nuk bëhet fjalë për raste të izoluara, por për rrjete të tëra kriminale, të ndërtuara ndër vite.

Zëvendëskryeministri vlerësoi aksionin si mesazh të fortë se koha e paprekshmërisë po mbyllet dhe se shteti po vepron me vendosmëri.

“Shteti e ka për detyrë të mbrojë shëndetin, sigurinë dhe të ardhmen e qytetarëve. Kushdo që është pasuruar duke shkatërruar jetë duhet të dalë përballë drejtësisë,” ka deklaruar Fetai, duke shtuar se ky proces duhet të shkojë deri në fund, ashtu siç është theksuar edhe për çështje të tjera me rëndësi të veçantë për vendin.