Hoxha: Edhe në vitin 2026 kemi siguruar mjete për Parqet nacionale, të cilat janë një shtyllë kyçe në mbrojtjen e trashëgimisë natyrore

Shkup, 06.02.2026 Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, gjatë një takimi pune me drejtorët e parqeve nacionale Mali Sharr, Pelister, Mavrovë dhe Galiçicë, konfirmoi mbështetjen e fortë dhe të vazhdueshme të Ministrisë për zhvillimin e tyre, mbrojtjen e vlerave natyrore dhe menaxhimin e qëndrueshëm.

“Me kënaqësi të veçantë mund të theksoj se edhe në vitin 2026, Ministria në Buxhetin e saj ka siguruar mjete të dedikuara për aktivitete të mëtejshme për mbrojtjen dhe promovimin e parqeve nacionale, gjë që përfaqëson një sinjal të qartë të përkushtimit afatgjatë të shtetit ndaj mbrojtjes së natyrës dhe zhvillimit të qëndrueshëm”, theksoi ministri Hoxha.

Në takim u theksua se parqet nacionale janë një shtyllë kyçe në mbrojtjen e trashëgimisë natyrore, por edhe një motor i rëndësishëm i turizmit të qëndrueshëm dhe i zhvillimit ekonomik lokal.

Ministri Hoxha theksoi se Ministria do të vazhdojë të mbështesë aktivitetet e parqeve nacionale përmes përmirësimit të kornizës ligjore, sigurimit të mbështetjes së qëndrueshme financiare nga buxheti shtetëror, si dhe përmes koordinimit dhe mobilizimit të mjeteve nga PONT, programi LIFE i BE-së dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë. Kjo do të kontribuojë në forcimin e menaxhimit, përmirësimin e mbrojtjes së biodiversitetit dhe zhvillimin e infrastrukturës së gjelbër në parqet nacionale.

Parqet nacionale, siç u theksua në takim, sot nuk përfaqësojnë vetëm zona të mbrojtura, por edhe nxitës të rëndësishëm të zhvillimit të qëndrueshëm, destinacione atraktive të ekoturizmit dhe një shembull pozitiv të menaxhimit të përgjegjshëm të burimeve natyrore.

Hoxha: Edhe në vitin 2026 kemi siguruar mjete për Parqet nacionale, të cilat janë një shtyllë kyçe në mbrojtjen e trashëgimisë natyrore