BDI: Provimi vetëm në maqedonisht! Ministri i Drejtësisë po cenon rendin kushtetues dhe barazinë gjuhësore me përgjigjen e tij ndaj peticionit të studentëve

Bashkimi Demokratik për Integrim dënon ashpër qëndrimin dhe deklarimet skandaloze të Ministrit të Drejtësisë, i cili me ndërhyrjen e tij të drejtpërdrejtë ka shkelur rendin kushtetues dhe ligjor të shtetit.

Në mënyrë brutale dhe të papranueshme, Ministri ka injoruar kërkesat legjitime juridike të studentëve shqiptarë për mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, një e drejtë e garantuar me Kushtetutë dhe ligj.

Ky veprim përbën precedent të rrezikshëm institucional, ku Ministri i Drejtësisë vendos veten mbi Kushtetutën, mbi ligjin, mbi Qeverinë dhe mbi çdo institucion tjetër të vendit, duke cenuar rëndë parimet e shtetit të së drejtës.

BDI vlerëson se kjo qasje jo vetëm që cenon barazinë gjuhësore dhe juridike, por godet drejtpërdrejt themelet e rendit kushtetues dhe bashkëjetesës ndëretnike.

Bashkimi Demokratik për Integrim i bën thirrje Qeverisë që të mos lejojë Ministrin e Drejtësisë të vendoset mbi ligjet dhe mbi Kushtetutën, por të ndërmarrë masa konkrete për t’u mundësuar studentëve shqiptarë mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, gjuhë në të cilën kanë kryer studimet dhe gjuhë që është zyrtare sipas rendit kushtetues të shtetit.

Rikujtojmë se pas miratimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, gjatë qeverisjes së kaluar, ishte përgatitur një zgjidhje ligjore që e mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe, por shumica aktuale qeveritare e hoqi atë nga procedura e miratimit, pa asnjë shpjegim plotësues, duke mos e rikthyer asnjëherë më për miratim.

BDI riafirmon mbështetjen e plotë për studentët shqiptarë dhe kërkon respektim të menjëhershëm të ligjit, të Kushtetutës dhe të të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët.

Heshtja institucionale ndaj këtij veprimi përbën bashkëfajësi dhe përgjegjësia politike nuk mund të shmanget.

BDI: Provimi vetëm në maqedonisht! Ministri i Drejtësisë po cenon rendin kushtetues dhe barazinë gjuhësore me përgjigjen e tij ndaj peticionit të studentëve